Skandali që lidhet me Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, u bë publik vetëm dy ditë më parë, pas njoftimit të Prokurorisë së rrethit, e cila ditët e fundit ishte sinjalizuar nga institucioni i Avokatit të Popullit, për abuzime ndaj fëmijëve nga personeli i kësaj qendre.
Sipas policisë së këtij qyteti, bëhet me dije se gjatë hetimeve paraprake të kësaj çështje janë pyetur të gjithë fëmijët e institucionit “Qendrës Rezidenciale të Fëmijëve Shkollorë 6-18 vjeç” dhe rezulton se fëmijët janë dhunuar psikologjikisht e fizikisht.
Ndërkohë, tre vajzat e moshës 6, 8 dhe 11 vjeç kanë dëshmuar në Prokurori duke treguar se abuzimi ka ndodhur brenda jetimores.
Një nga vajzat e abuzuara në këtë qendër ka pohuar përpara psikologut të Avokatit të Popullit se janë abuzuar seksualisht nga djali i ish-drejtoreshës së kësaj qendre, A Ll, gjatë një ekskursioni të organizuar në Velipojë dhe Razëm.
Mirëpo, autori i dyshuar i këtyre abuzimeve, djali i ish- drejtoreshës Llazani, është i diagnostikuar me autizëm, gjë e cila ka komplikuar deri-diku, ecurinë e hetimeve në lidhje me ngjarjen në fjalë dhe për këtë duhen ca verifikime të mëtejshme.