Nisma e LGBT-së në gjimnazet e Tiranës vijon të shihet me shumë skepticizëm për shkak të tematikës delikate. Por jo vetëm tema, por edhe mënyra se si kjo nismë po zhvillohet lë vend për dyshime, pasi deklaratat cunguese të Ministrisë së Arsimit, dhe mungesa e transparencës e bëjnë edhe më të debatueshme të gjithë nismën në fjalë. Opinion.al, ishte media e parë që u interesua drejt institucionit të Ministrisë së Arsimit, dhe kërkoi më tepër informacion në lidhje me këtë çështje. Fillimisht u mohua që e gjithë nisma po zhvillohej në dijeni të institucionit më të rëndësishëm arsimor në vend, dhe më pas në deklaratën e tyre zyrtare e pranuar një nismë të tillë.
Për të qenë asnjëanës dhe të drejtë, ne vendosëm të merrnim edhe mendimin profesional të një psikologeje e cila ka eksperiencë me adoleshentët dhe fëmijët, për të mësuar se çfarë ndikimi ka kjo nismë dhe a është korrekte me të gjitha pikat.
Psikologia Denada Toçe, na ka shpjeguar rëndësinë që duhet të ketë trajtimi me profesionalizëm i kësaj nisme, dhe është ndalur në disa pika ku ajo vetë i sheh me dyshim. Sipas saj pavarësisht se LGBT nuk ka asnjë dashakeqësi në këtë mes, përsëri ka shumë mangësi në vetë procesin.
“Një nga etapat e adoleshencës është zhvillimi dhe kuptimi i seksualitetit. Kjo përfshin të kuptuarit e trupit, identitetin gjinor, orientimin seksual dhe vlerat në lidhje me aktivitetin seksual. Për të gjithë adoleshentët, ky është një tranzicion sfidues, pavarësisht orientimit seksual. Duke qenë se në tërësi procesi është delikat dhe kërkon kujdes, si në planin individual por edhe në atë social, informimi nëpërmjet edukimit është çelësi. Prindërit janë një burimi i parë informimi shumë i rëndësishëm për adoleshentët. Aktorët e tjerë të rëndësishëm për informimin e këtij grupi janë mësuesit. Rrugëtimi i edukimit sistematik i fëmijëve nëpër shkolla është i gjatë. Detyra e këtyre institucioneve është të përçojë dije, dhe ndër këto informacioni mbi rritjen dhe zhvillimin e njeriut është pjesë e misionit. Por, lind pyetja, a janë prindërit dhe mësuesit të përgatitur të përçojnë informacion me bazë edukimin seksual apo identitetin gjinor? Sigurisht që jo të gjithë prindërit dhe mësuesit janë të përgatitur dhe të mirë orientuar në raport me këtë çështje. Madje ka prindër të cilët hasin vështirësi me pranimin e orientimit seksual të të njëjtit seks të fëmijës së tyre.
Ajo që ka ndodhur së fundmi në gjimnazet e Tiranës, ku grupe të interesit kanë kryer fushatë me bazë informuese mbi bullizmin dhe të drejtat e homoseksualëve, në ambientet e shkollës, nuk është tragjedi sociale, por duket se është një tronditje si pasojë e një hapi të ri që po hedh shoqëria jonë në këtë drejtim. Është ende tabu, fundja siç vazhdon të jetë edhe vet seksi në këtë shoqëri. Kjo është arsye e parë se pse nuk është i mirëpritur ky hap i ri. Arsyeja e dytë është mungesa e informacionit që kanë komuniteti i mësuesëve, prindërve, politikanëve, i shoqërisë në tërësi, duke përfshirë këtu dhe komunitetin LGBT. Dyshoj se ka ndonjë keqdashje apo qasje tinëz të komunitetit LGBT për të zhvilluar këtë nismë. Duket më shumë si mungesë informacioni dhe profesionalizmi për të realizuar qëllimin. E nëse qëllimi ka qenë ai i informimit mbi të drejtat e LGBT si pjesë e ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut, atëherë do të duhet të ngjasojë si fushatë ndërgjegjësimi dhe të kujdesen që të mos marrë trajtën e një propagande. Kufiri ndarës për të realizuar këtë, duket se është i vështirë për vet komunitetin si grup interesi, ndaj dhe jam e mendimit që vendin do të duhet ta zënë aktorët e edukimit. Thjesht unë do të isha e mendimit që informimi apo edukimi i këtij grupi social siç janë adoleshentët, duke përmendur arsyet dhe argumentët e mësipërm, meritojnë një strategji më të kujdesshme, më profesionale dhe mbi të gjitha më etike. Shoqëri më të zhvilluara se kjo e jona, u është dashur shumë kohë për të realizuar një hap si ky, madje shumica e tyre ende nuk e kanë realizuar pasi kanë parë rrugë të tjera më efikase dhe me barazpeshë informimi, dinjitoze për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut, qofshin këto ato të komunitetit LGBT. Kurikulat janë një bazë shumë e mirë informimi. Në këto kurikula do të duhet të tregohet kujdes për të përfshirë informacine të mirëshikuara, me bazë evidencën shkencore në fushën e edukimit, mbi seksualitetin e njeriut, mbi të drejtat dhe marrëdhëniet. Më vjen keq kur mësoj se shumë prej kurikulave me bazë edukimin seksual, social apo personal nuk arrijnë që të konsumohen apo të trajtohen nga mësuesit së bashku me nxënësit pasi një pjesë e mirë e mësuesëve duket se e anashkalojnë? Ndoshta i duket humbje kohe? Ndoshta nuk duan të prekin tema që siç folëm më sipër mbeten tabu? Ndoshta dhe për një arsye të thjeshta banale se edukata shoqërore apo seksuale nuk janë prioritet? Ndoshta matematika do t’u hynte më shumë në punë fëmijëve. Sigurisht, llogari kaq të pavlera në dukje, kthehen në prioritet identitarë për këto idivid. Ndaj, nuk është asnjëherë e pavend koha për t’I trajtuar këto kurikula. Unë do të thosha se mësueset do të duhet të informohen duke u përfshirë në trajnime profesionale dhe të zbatojnë me rigorozitet këtë etapë edukimi. Arsye e tretë që ky hap i ri nuk është i mirëpritur nga shoqëria, është mungesa e profesionalizmit e Ministrisë së Arsimit. E shikoj me vend t’i kujtojë kësaj ministrie se përpara se të zbatojë detyrën e strategjisë për ndërgjegjësimin mbi të drejtat e njeriut pranë gjimnazeve, të ndërgjegjësohet mbi pakujdesinë për të zbatuar të drejtat që kanë të miturit për të marrë shërbim ekstrakurikular, ose për të marrë pjesë në aktivitete jashtë kurikulës. A nuk do të duhet të merrej miratimi i prindërve për çdo aktivitet që organizohet në shkollë apo jashtë saj me fëmijët e mitur? Një tjetër gjë që e kam me merak;
A nuk do të duhet të përdoreshin burimet njerëzore që tashmë shkolla i ka të atashuar në gjirin e saj si psikologët apo punonjësit social të shkollave për të trajtuar tema si këto? A nuk do të ishte e udhës që ministria e arsimit t’u krijonte mundësi këtyre grupeve të interesit për të bashkëpunuar në ndërtimin e informimit nëpërmjet kurrikulës apo mësuesëve?
Unë jam e mendimit se pavarësisht orientimit seksual, vlen që “loja” duhet të bëhet e drejtë për të gjithë. Edhe pse duket si një grup i margjelizuar, unë jam e mendimit që Shqipëria, si një vend i botës së tretë ka ecur mjaft me hapat e saj në raport me njohjet e të drejtave duke I mbështetur me ligj. Nga ana tjetër komuniteti LGBT mbetet pre e paragjykimeve, stigmatizimeve, por kjo nuk justifikon në asnjë rast dhe asnjë person i këtij komuniteti të tregojnë pakujdesi etike apo profesionale përballë adoleshentëve, fundja dhe prindërve të tyre. Nuk mendoj se ka nevojë vetëm për kurajo për të realizuar këtë hap, por ka nevojë për dinjitet profesional dhe etik, vazhdoj ta theksoj.
Fillimisht fola për kurrikulat, por nuk do të mund të harrojë prindërit, të cilët janë aktor shumë të rëndësishëm në këtë proces informues. Organizatat e komuniteteve në fjalë do të duhet të kujdesen që të ofrojnë klauzola dhe politika informuese për këto grupe. Prindërit mandej do të kenë mundësi të informojnë drejt fëmijët e tyre. Ka shumë prindër që e përjetojnë situatën e orientimin seksual të fëmijës së tyre shumë herë më vështirë se vet fëmijët. Për këta do të duhet të krijohet një mundësi lehtësuese.
Dikur, nje kolegu im, në një punë që sapo e kisha filluar, më ftojë të mësojë diçka krejt të re për mua me filozofine “hidhu në det që të mësosh të notosh.” Ndërsa u hodha në det, mësova të notojë shpejt, nga halli se mos mbytesha, por tronditja prej stresit dhe frikës ishte e madhe dhe kështu e mësova shtrembër notin. Vendosa ta nisë prej fillimit, mbarë dhe hap pas hapi. Tashmë mund të them me siguri se e njoh shumë mirë terren ku notoj. Më konkretisht, e njoh shumë mirë punën që bëj çdo ditë me fëmijët.
Kështu, ndërsa i mësojmë adoleshentët të mësojnë të “notojnë” në fushën e sekualitetit, jepini mundësi ta mësojnë gradualisht, hap pas hapi, nga profesionistë që e njohin mirë fushën e edukimit dhe zhvillimit të individit, ndërsa kishit menduar t’i hidhnit në det të hapur, pa marrë parasysh se sa të përgatitur janë për ta përtypur këtë përvojë.”/Ema Shazivari/ Opinion.al