Qytetarët e Kosovës do ti drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në parlament. Janë 1 milionë e 937 mijë e 869 votues të cilët kanë të drejtë të votojnë 895 Qendra Votimi.
Votimi ka nisur në orën 07:00 dhe parashikohet të vazhdojë për 12 orë deri në orën 19:00.
Për parlamentin me 120 vende të Kosovës garojnë 25 subjekte politike, të cilat përfshijnë 4 koalicione, 20 parti dhe një kandidat të pavarur.
7 kandidatë nga subjekte të ndryshme politike synojnë postin e kreut të qeverisë së re. Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kososvës Vjosa Osmani, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kandidati i koalicionit Nisma – AKR – PD, Fatmir Limaj, ish-kryeministri Ramush Haradinaj kandidon në emër të koalicionit AAK-PS, nga Partia Euroatlantike e Kosovës kandidon Milaim Zeka dhe nga koalicioni “Slobodna”, Nead Rashiqi.
Numri i vëzhguesve të akredituar për këto zgjedhje është mbi 34 mijë.
Votimet e sotme pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit për shkak të ftesës për intervistim që i erdhi nga Gjykata Speciale më 19 korrik. /Opinion.al