Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një shkresë zyrtare kryeministrit Edi Rama, gjithashtu të gjitha partive politike në vend dhe OSBE-ODIHR, lidhur me fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, e cila pritet të nisë zyrtarisht ditën e nesërme.
“Duke marrë në konsideratë raportet e para të depozituara nga monitoruesit, KQZ i bën apel të gjithë drejtuesve të institucioneve publike të tregojnë vetpërmbajtje dhe të përmbushin detyrimet e tyre sipas Kodit Zgjedhor”, thekson KQZ.
Në shkresë, KQZ i është drejtuar partive politike, duke iu thënë se e kanë të ndaluar të përdorin burimet publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore, dhe i ka paralajmëruar se nëse nuk zbatojnë kërkesat e KQZ, do të përballen me gjoba. Nërkohë kujtojmë që fushtata ka nisur thuajse javë më parë ku krerët e partive shkojnë në qytete të ndryshme takohen me banorët dhe prezantojnë programet e tyre politike./Opinion.al