Miu i famshëm i minave, Magawa, i cili u nderua me një medalje ari për heroizmin e tij, ka ngordhur në moshën 8-vjeçare.
Në një karrierë pesëvjeçare, brejtësi nuhati mbi 100 mina tokësore dhe eksplozivë të tjerë në Kamboxhia.
Magawa ishte miu më i suksesshëm i trajnuar nga shoqata bamirëse belge Apopo për të paralajmëruar punonjësit për minat, që ato të hiqen në mënyrën me të sigurt. Organizata bamirëse tha se miu gjigant afrikan “u nda nga jeta në mënyrë paqësore” në fundjavë.
Ata bën me dije se Magawa ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe “kaloi pjesën më të madhe të javës së kaluar duke luajtur me entuziazmin e tij të zakonshëm”, por nga fundjava “ai filloi të ngadalësohej, duke fjetur më shumë dhe duke treguar më pak interes për ushqimin në ditët e tij të fundit”.
I rritur në Tanzani, Magawa iu nënshtrua një vit trajnimi përpara se të transferohej në Kamboxhia për të filluar karrierën e tij të nuhatjes së bombave. I trajnuar për të zbuluar një përbërje kimike brenda eksplozivëve, Magawa spastroi më shumë se 141,000 metra katrorë, ekuivalenti i 20 fushave të futbollit. Ndonëse ishte shumë më i madh se shumë specie të tjera të minjve, Magawa ishte ende mjaftueshëm i vogël dhe mjaft i lehtë sa të mos i nxiste minat të shpërthenin. Magawa ishte në gjendje të kërkonte në një hapësirë sa një fushë tenisi në vetëm 20 minuta, ku sipas organizatës nëse do merrnin një person me një detektor metali do t’i duhej nga 1 deri në 4 ditë.
Në vitin 2020, Magawa iu dha Medalja e Artë për “përkushtimin e tij jetëshpëtues”. Ai ishte miu i parë që iu dha medalja në historinë 77-vjeçare të bamirësisë.