Avokat Spartak Ngjela ka bërë një koment rreth deklaratës së Bashës, i cili ftonte Ramën të negocionte për të amenduar ligjin e vetingut, pa pritur vendimin e Kushtetueses. Sipas Ngjelës, Berisha dhe Basha kanë mësuar tashmë se Komisioni i Venecias do të shprehet pro ligjit. Në këto kushte, thotë Ngjela, po bëhet tratativa e fundit e PD-së për të minuar ligjin.
“Në këto çaste Saliu, po ndihet i trembur nga takimi i Berlinit, dhe po kërkon ndihmën e Ramës, kurse Rama i tha: Jo!”, shkruan Ngjela në facebook.
“Venecia ndërkohë e ka marrë vendimin: Ajo ka vendosur që “vetingu është një ligj plotësisht sipas kushtetutës shqiptate”; por pritet që ta shpallë pas disa ditësh. Këtë ka marrë vesh Bashë ziu, përkatësisht Saliu, prandaj kërkojnë një mënyrë të re të bllokimit të vetingut. Çdo keqbërës, kur është drejt ndëshkimit, bie në gropën e profanitetit”, vijon argumentet e tij avokat Ngjela.
Sipas tij, vetingu është mbështetja ligjore për fillimin e goditjes së korrupsionit në Shqipëri. Pa miratimin e vetingut, kjo goditje nuk mund të fillojë. “Këta të korruptuar, deri në minutën e fundit, janë me ethe kundër shqiptarëve. Nuk e pret dot “gjëmën” qetësisht tabori i Saliut, por, kështu, të trembur dhe në veprim kundër, janë hedhur edhe gjyqtarët – ky është turp historik!”, shkruan Ngjela.