Kryetari i PD, Sali Berisha ka reaguar lidhur me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në ambientet e lokalit të tij në Lezhë.
Berisha e lidh vrasjen e tij me politikën, duke thënë se Nikulaj ishte kundër kandidaturës së Pjerin Ndreut për bashkinë e Lezhës.
Për këtë qëndrim, shkruan Berisha në “Facebook”, ai është kërcënuar vazhdimisht ditët e fundit nga Ulsi Manja dhe Pjerin Ndreu.
Postimi i Berishës
Skuadra e pushkatimit nën mbrojtjen e qeverisë kryen ekzekutimin e radhës!
Rendi në duart e krimit!
Të dashur miq, sot ditën për drekë u ekzekutua në lokalin e tij biznesmeni dhe eksponenti i PSD-së, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021 dhe kandidat për këshilltar në këto zgjedhje, Ardian Nikulaj. Ky Krim i shëmtuar ndodh tre ditë pasi Edi Rama hapi fushatën në Lezhë dhe pasi viktima, i ndjeri Nikulaj, kishte bërë të qartë publikisht se ai ishte kundër kandidaturës së Rilindjes, Pjerin Ndreu, duke dalë kështu haptazi kundër aleancës Rama-Doshi dhe linjës zyrtare të partisë së tij. Ndërkohë mësohet se ditët e fundit ai ka marrë kërcënime të përsëritura nga mjedisi banditesk i kriminelëve elektoral Manja-Ndreu, drejtues (kapobanda) kryesore të Rilindjes për Qarkun e Lezhës.
Duke i shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit, PD dënon me ashpërsinë më të madhe ekzekutimin e politikanit lokal dhe biznesmenit Ardian Nikulaj si një akt të shëmtuar kriminal në fushatë elektorale dhe me sfond politik nga falangat e krimit të lidhura direkt me qeverinë.