Marc Overmars është dorëhequr me turp nga detyra e tij si drejtor futbolli te klubi i Ajax, pasi u zbulua se i kishte dërguar mesazhe “pikante” kolegeve të tij.
Klubi i Ajax ka sqaruar se 48-vjeçari, ish-mesfushor i Holandës, Arsenalit dhe Barcelonës, “i ka dërguar disa mesazhe të papërshtatshme kolegeve të tij, përgjatë një periudhe kohe shumë të gjatë”.
Vetë Overmars, tha se ndihej i turpëruar nga vetja: “Nuk e kisha kuptuar që kisha kaluar kufirin, por javët e fundit më treguan se si kishte ndikuar tek të tjerët sjellja ime. Kërkoj ndjesë. Për dikë në pozitën time, kjo sjellje është e papranueshme. Tani është shumë vonë dhe nuk shoh rrugë tjetër përveç dorëheqjes. Kjo gjë ka ndikuar shumë edhe në jetën time private. Për këtë arsye, kërkoj nga të gjithë që të më lini të qetë mua dhe familjen time”.