-Kulturë

Nga Rama tek miqtë dhe kolegët, fjalët për humbjen e artistit Bajo


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 12:48 - 09/08/20 |
Opi Nion

Ndarja nga jeta e skulptorit dhe pedagogut të arteve Arben Bajo ka shkaktuar trishtim dhe dhimbje tek miqtë dhe të afërmit e tij. Personazhe të njohur kanë reaguar pas lajmit të vdekjes së Bajos, i cili nuk ja doli të mbijetonte pasi ishte prekur nga Covid 19. Madje një ditë më parë, miq dhe artistë kishin bërë thirrje për dhurim gjaku nga persona që kishin kaluar Covid, me shpresën se ai mund të kurohej përmes trajtimit me plazma. Por mëngjesin e sotëm ata kanë ndarë lajmin e ndarjes së artistit nga jeta.

Edhe Kryeministri Rama ka shprehur ngushëllimet për humbjen e Bajos, të cilin e cilësoi si një artist fisnik, duarartë e fjalëpak.

“Ben Bajo nuk do t’i hapë më sytë e as sytë e admiruesve të skulpturës, nuk do të shohin më krijesa të duarve të tij! Ai nuk ia doli dot t’i mbijetojë virusit vdekjeprurës, që vazhdon të marrë jetë njerëzish nga kjo botë, duke sfiduar përparimin marramendës të shkencës e të mjekësisë, me kërcënimin e përsëritjes së kasaphanës së vitit 1918, kur Gripi Spanjoll gllabëroi dhjetra miliona njerëz.

Beni ishte ende shumë i ri dhe arti i tij ishte ende në zhvillimin e vrullshëm drejt njehsimit me vetë artistin, çka vetvetishëm reflektonte akoma influencën e disa mjeshtrave të mëdhenj, në ndërkohën që shembëlltyrat e bronxta po merrnin dora-dorës hijen e pangatërrueshme të individualitetit të skulptorit të talentuar.

Një humbje e madhe kjo për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë, po edhe për artin bashkëkohor shqiptar po ashtu, që humbi sot një prej bijve të vet më premtues e më të përkushtuar.

Eh, jeta është kjo, dihet gjithnjë si mbaron po s’dihet asnjëherë kur mbaron rrugëtimi ynë në këtë botë, ku disa e kanë dhuntinë e fatin të lenë pas diçka që i mbijeton vdekjes, veprën e tyre. Artistët hyjnë tek këta disa dhe kur janë prej vërteti, siç ishte Ben Bajo, kujtimi i tyre pavdekësohet nga prania pa kohë e veprave të tyre mes njerëzve që vijnë e shkojnë, në ndërkohën pa kufi që veprat mbeten. Ngushëllimet më të ndjera të dashurve e të afërmve të Benit, fjalët përballë vdekjes s’kanë asnjë fuqi, po asgjë tjetër veç fjalëve vdekja nuk le për dëshmitarët e saj”, shkruan Rama.

Edhe kolegu dhe pedagogu Ardian Isufi, shpreh në rrjetet sociale dhimbjen e tij, teksa shkruan: “Mik: Dhimbja për ty nuk ka fjalë… Vetëm Trishtim! Pedagog dhe Artist: Parajsa qoftë për ty si udhëtim i fundit… sepse për ty, Arti në çdo çast e moment ka qënë Parajsa jote shpirtërore!”.

Ndërkohë, shkrimtarja Rita Petro, shkruan: “Shumë…shumë e hidhur kafeja e mëngjesit nga ky lajm i trishtë ARBEN BAJO… ti ishe nga ata artistë që qëndrove në kohëra absurde…krijove mrekullira me forma harresash, dhimbjesh, vetmish, ulërimash të heshtura, dhe ike në një situatë “absurdi” … ike kur askush nuk e priste… në takimin te ekspozita e fundit folëm aq gjatë për punët e tua të mbaruara dhe lamë të pinim kafen në studion tënde për të parë edhe skulpturat e pambaruara, që sot s’kanë sy të qajnë për ty e gojë për të folur”. /Opinion.al

 

 

 

 

Pas