Në zemër të Labërisë, aty ku mali takon detin dhe fjala shndërrohet në këngë, është rikthyer festivali “Netët e Bejkës së Bardhë”, i cili këtë vit shënon edicionin e tij të gjashtë.
Nën qiellin e hapur të Pilurit, në një atmosferë ku tradita takon dashurinë për vendin, festivali mblodhi artdashës, këngëtarë të polifonisë dhe adhurues të trashëgimisë shqiptare.
“Këto janë këngët tona, janë burimore, janë këngët e kohës, janë këngë lirike, patriotike, historike që kanë përcjellë historinë e këtij kombi në jetën e tij të përgjithshme. Ky aktivitet është në nder të Lefter Çipës, Nderi i Kombit,” tha poeti Kristo Çipa.
“Në ditët e festivalit vijnë grupe dhe të interesuar për kulturën shqiptare dhe sidomos për polifoninë, e cila është një pasuri e mbrojtur edhe nga UNESCO,” tha Aleksandër Çipa, organizator i “Netëve të Bejkës së Bardhë”.
“Kostumografia, këngët absolutisht janë… ky është tabani popullor, kjo është kultura jonë.”
“Një kënaqësi e veçantë që jemi pjesë e këtij eventi. Duhet të vazhdojë tradita, përpiqemi ta mbajmë.”
“Këndojmë këngë polifonike, të cilën e kemi të trashëguar nga gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë. E kemi dhe si mision, meqë jemi edhe brezi i ri.”
“Të rinjtë tanë kanë ikur. Ka shumë talente, ka shumë që e duan, por është shumë e vështirë për t’u… dhe e mbajmë me aq sa mundemi.”
“Netët e Bejkës së Bardhë” vazhdojnë të jenë një pikë referimi për ruajtjen dhe promovimin e kulturës. Organizuar në një nga fshatrat më emblematikë të Jugut, ky festival nuk është thjesht një ngjarje artistike, por një akt kujtese, respekti dhe vazhdimësie për një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë sonë kombëtare: këngën polifonike.
Nata e parë solli interpretime të grupeve të njohura polifonike, por edhe zëra të rinj që mbajnë gjallë frymën e Labërisë me pasion e përkushtim.
“Kur këndon Labëria, heshtin edhe zogjtë,” thonë vendasit, dhe kjo ndjesi përjetohet më fort se kudo tjetër në Pilur, ku çdo tingull përçon histori, mall dhe krenari.
Klan News