Europarlamentari Fredi Beleri i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Fierit duke kërkuar lirim me kusht.
Seanca e parë për të shqyrtuar këtë kërkesë të Belerit është realizuar në 17 korrik, por është shtyrë për shkak të mungesës së juristit të burgut të Fierit. Ky i fundit nuk është paraqitur në gjyq edhe pse ka pasur dijeni për orën dhe datën e gjyqit.
Belerit i kanë mbetur edhe rreth 2.5 muaj burg nga masa e dënimit, ndërsa aktualisht ndodhet jashtë hekurave të qelisë duke shfrytëzuar lejen 5 ditore të dhënë nga Komisioni i posaçëm në Drejtorinë e Burgjeve.
Drejtoria e Burgjeve i dha 5 leje Belerit që ai të shkojë dhe të betohet si eurodeputet i Greqisë në Strasburg. Beleri doli nga burgu i Fierit më 16 Korrik dhe iu drejtua aeroportit të Rinasit, me një makinë të ambasadës greke. Më pas udhëtoi drejt Athinës, ku u takua dhe me kryeministrin grek, Mitsotakis. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve leja e Belerit mbaron nesër.
Beleri është dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit me 2 vite heqje lirie për korrupsion në zgjedhje.