Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i bëri thirrje Bankës Botërore që të ndalojë dhënien e kredive për Kinën, një ditë pasi ky institucion bankar miratoi një plan kredie për Pekinin.
“Pse po i huazon Banka Botërore para Kinës? A është kjo e mundur? Kina ka shumë para, edhe nëse ata nuk kanë, i krijojnë. STOP”, ka shkruar në Twitter presidenti amerikan në një kohë kur tensionet në mes të dy shteteve janë rritur ndjeshëm.
Banka Botërore më 5 dhjetor miratoi një plan për të ndihmuar Kinën me 1 miliard deri në 1,5 miliard dollarë kredi me interes të ulët, deri në qershorin e vitit 2025.
Sipas këtij institucioni kreditë për Kinën do të ndihmonin avancimin e tregut dhe reformave fiskale për të inkurajuar zhvillimin e sektorit privat dhe për të ndihmuar në promovimin e zvogëlimit të ndotjes dhe emetimeve të karbonit.
Kujtojmë se SHBA-ja është aksionarja më e madhe në Bankën Botërore, por nuk ka fuqi të vetos, kur bëhet fjalë për dhënien e kredive për shtete specifike./Opinion.al