Federata Italiane e Futbollit ka vënë në dispozicion premion më të ulët në favor të futbollistëve të saj kundrejt pjesëmarrëseve të tjera këtij Evropiani, vetëm 250 mijë euro për fitoren e turneut, por në të njëjtën kohë, ajo nuk do t’i japë asnjë bonus futbollistëve dhe stafit teknik në rast se nuk arrihet të paktën në gjysmëfinale.
Të shkosh mes katër më të mirave, pra sikur të mundnin gjermanët, “azurrët” do të fitonin 150 mijë euro secili, ndërsa kualifikimi për në finale dhe triumfi në Francë do të sillte 100 mijë euro të tjera në total.
Natyrisht që fillimisht kjo premio prej 150 mijë eurosh ishte parë si një stimul kundrejt një kombëtareje të nënvlerësuar shumë fillimisht, por tani që skuadra e Antonio Contes ka nisur të funksionojë në drejtimin e duhur, pa dyshim që gjërat edhe mund të ndryshojnë, ndonëse fillimisht, hapi i parë është kualifikimi përballë gjermanëve që vlen 150 mijë euro, raporton Panoramasport.
Thjesht pjesëmarrja në “Euro 2016” garanton 8 milionë, ndërsa 2 milionë euro italianëve i kanë ardhur nga dy fitoret me Belgjikën dhe Suedinë (1 milion fitorja, 500 mijë barazimi).
Kualifikimi në 1/ 8-at solli edhe 1.5 milionë të tjera, ndërsa çerekfinalja 2.5. Tashmë, një hap i radhës, pra suksesi ndaj Gjermanisë vlen 4 milionë, ndërsa triumfi në finale, plot 8 milionë euro të tjera.
Prandaj, e thënë në shifra të tjera, Italia ka 26 milionë (euro) arsye për të mundur gjermanët dhe për të ëndërruar suksesin.