Teksa është në shënjestrën e disa prej klubeve më të mëdha evropiane për formën shumë të mirë që po kalon te Interi, sulmuesi Lautaro Martinez ‘ ka lënë në baltë’ të tijtë pikërisht në ndeshjen më të rëndësishme të tyre të kampionatit, atë kundër Milanit.
Gjykatësi Sportiv ka dënuar sulmuesin e Interit me dy ndeshje skualifikim për kartonin e kuq që mori në ndeshjen ndaj Cagliari në fundjavë.
Argjentinasi protestoi në sekondat e fundit të lojës duke mos ruajtur qetësinë çka e bëri arbitrin ta ndëshkonte me karton të verdhë, por Martinez e teproi me protestën ndaj gjyqtarit të takimit dhe kjo bëri që ai të nxirrej nga fusha pas kartonit të kuq.
Lautaro do t’i mungojë kështu Interit në përballjen e ardhshme në kampionat me Udinesen dhe në ‘Derbin e Madoninës’ kundër Milanit i cili po kalon një periudhë mjaft pozitive krahasuar me pjesën tjetër të sezonit. /Opinion.al