Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, priti sot në një takim drejtorin e Përgjithshëm të Zbatimit të Emigracionit në Britaninë e madhe, Tony Eastaugh.
Mësohet se Çuçi dhe Eastaugh kanë nënshkruar një Momorandum Mirëkuptimi mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për frenimin e çdo tentative të emigracionit të jashtëligjshëm.
“Ky memorandum pason Marrëveshjen e Ripranimit të nënshkruar më herët me homologen Priti Patel. Shkëmbimi i informacionit dhe funksionimi i autoriteteve përkatëse si një njësi e vetme, rrit sigurinë e kufijve dhe godet krimin e organizuar që shfrytëzon migracionin e paligjshëm. Marrëdhëniet Shqipëri-Britani e Madhe janë autentike do të thoja sidomos kur është fjala te çështjet e brendshme. Do të vijojmë të punojmë ngushtësisht për të adresuar siç duhet të gjitha sfidat që lidhen me migracionin duke përfshirë të gjithë aktorët dhe duke u investuar me të gjitha masat e nevojshme që kufijtë tanë të jenë të sigurt”, shprehet Ministri i Brendshëm.
Memorandumi i nënshkruar sot është në përputhje me ligjet kombëtare të migracionit të të dy vendeve dhe është hartuar bashkërisht nga palët, mbi bazën e bashkëpunimit mes autoriteteve në fushën e migracionit.