Aktualitet

Nënkryetari i Bashkisë Tiranë: Dëmet më të mëdha nga sa menduam


               Publikuar në : 18:30 - 02/12/19 |
xhu lia

Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, në një lidhje telefonike nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku bëri të ditur se nga inspektimet e deritanishme në Tiranë rezulton se 23 pallate janë shpallur të pabanueshme.

Por një grup i specializuar inxhinierësh do të vlerësojnë më tej, nëse objektet mund të vazhdojnë të funksionojnë pas një riparimi ose përforcimi strukturor, apo duhen prishur.

Ai më tej tregon se janë 21 grupe pune në terren në gjithë territorin e Tiranës që po kryejnë kontrolle në banesat e dëmtuara. Prioritet janë objektet me dëme të dukshme dhe objektet publike, çerdhe, shkolla, kopshte. Deri tani dy shkolla në Pezë dhe Pezën e vogël janë konstatuar që nuk mund të restaurohen, por duhet të prishen.

Si është situata në Tiranë me objektet  e goditura pas tërmetit?

Në fakt, teksa po bëjmë vlerësimet më të detajuara, po kuptojmë hap pas hapi që dëmet janë relativisht më të mëdhaja nga sa menduam. Sot janë të paktën 4 ose 5 objekte të reja të tipit pallat, të cilat që në momentin e parë janë shpallur nga inxhinierët si objekte të pabanueshme, që iu shtohen 17-18 objekteve të djeshme. Sot jemi në një nivel prej 23 deri 24  objekte, deri tani të tipit pallat që janë të pabanueshme. Nga ku është bërë edhe evakuimi i banorëve deri sa të kemi mundësi që të bëjmë një vlerësim më të madh. Në total, vetëm në zonën urbane të Tiranës kemi më shumë se 500- 550 familje që është dashur të evakuohen, pasi objektet janë shpallur për momentin të pabanueshme derisa të bëhet një verifikim më i detajuar i objektit”.

Më the se po del më shumë seç e mendonit, sa përqind keni verifikuar që të kuptojmë sa mund të jetë shifra apo nuk parashikohet tani?

Duhet të kuptojmë që Tirana ka 220 mijë familje, Tirana ka më shumë se 6 mijë – 7 mijë pallate dhe ne po ecim me ato objekte që kërkohen nga banorët si objekte që kanë problematika. Pra nuk mund të kontrollohen të gjitha objektet e Tiranës, pasi numri i njerëzve që mund të bëjnë këtë kontroll është i limituar. Unë besoj që pjesa më e madhe e objekteve që kanë pasur probleme serioze dhe janë raportuar si të tilla nga banorët janë kontrolluar tashmë, ose janë në proces kontrolli gjatë ditës së sotme. Sigurisht që ka dhe një numër të madh banorësh, që kërkojnë t’ju kontrollohet banesa e tyre, pavarësisht se nuk shohin një problem specifik, por thjesht për merak se gjithë njerëzit janë të shqetësuar dhe ne këtë e kuptojmë. Sidoqoftë do ju kërkojmë qytetarëve që të kenë durim, do ta bëjmë kalimin në të gjitha objektet që kanë dëme dhe të vogla për të qenë të sigurt, por sot na duhet që grupet e punës që kemi në terren, që janë të limituara sepse inxhinierët që duhet të jenë detyrimisht pjesë e këtyre grupeve janë njerëz të limituar. Nuk ka në Tiranë më shumë se 30-40 njerëz në gjitha strukturat e kësaj tipologjie. Këta janë të gjithë njerëz, që edhe pse janë në kompani private apo në punë të tjera, i janë bashkuar sot skuadrave të Bashkisë dhe janë duke punuar në terren. Ne kemi sot teksa flasim më shumë se 21 grupe pune, të shpërndara në gjithë territorin e Tiranës për të bërë kontrollin. Por prioritet kemi pasur objektet me dëme të dukshme dhe objektet publike, çerdhet, shkollat, kopshtet, të cilat janë tashmë kontrolluar në mënyrë të detajuar, në mënyrë që të dimë se çfarë duhet të bëjmë që të marrim hapat në vijim.

Mes objekteve që keni shpallur si të pabanueshme ka çerdhe dhe kopshte?

Po ka dy shkolla, që janë shpallur deri tani jashtë funksionit. Dy shkollat janë në Pezë dhe Pezën e vogël, të cilat janë jo vetëm objekte të pabanueshme por është bërë edhe analiza e detajuar dhe ato janë objekte që nuk mund të ristrukturohen dhe duhet të prishen. Besoj se brenda ditës së sotme do fillojë procesi i prishjes së tyre, që të fillojmë më pas edhe procesin e rindërtimit, për të mos humbur asnjë ditë. I njëjti proces do ndodhë edhe me banesat e tipit pallat që janë shpallur të pabanueshme, fakti që ato janë të pabanueshme nuk do të thotë se ato janë objekte të gjitha për t’u prishur. Do duhet një grup i specializuar inxhinierësh që do marrin një kohë më të gjatë në secilin prej këtyre objekteve, për të na thënë çfarë duhet të ndodhë. Nëse janë objekte që mund të vazhdojnë të funksionojnë pas një riparimi ose përforcimi strukturor apo janë objekte që nuk mund të rikuperohen më dhe duhet të prishen”.

Sa është numri i objekteve që janë shpallur të pabanueshme?

Deri tani janë 23, por ky është proces në vijim dhe ky është i tipit pallat, por kemi dhe më shumë se 412 objekte të tilla të tipit privat në fshat, që janë banesa individuale”. /Burimi Tv Klan

Pas