Nga Irena Shabani *Botuar fillimisht në revistën “Mapo”
Dikur dy qytete e mëdha Tirana dhe Shkodra gëlonin nga shtëpitë publike. Legjenda, faktet dhe e vërteta duket sikur janë fashitur tani rreth 70 vjet më pas. Madje për shumë njerëz shtëpitë publike janë vetëm thashetheme, aq fort është hequr e vërteta nga kujtesa e popullit se gratë publike kanë qënë prezente në mes të sheshit, me profesionin më të hershëm të botës. Rastësisht duke gërmuar nëpër dokumente të vjetra të bashkisë së Tiranës zbuluam emra, rrugë, shtëpi dhe propozim projektesh për shtëpitë publike. Në fakt me mend mund ta marrësh së ato kanë egzistuar, por kurrsesi nuk të shkon në mëndje se bota e grave publike ka qënë kaq e mbushur me urdhëra bashkie, kontrolle mjekësore dhe gjoba për çdo veprim që binte ndesh me ligjin.
Na ishte njëherë Tirana
Në dokumentet e fund-viteve 30 zbulojmë një Tiranë tjetër, e cila ishte e njohur hershëm me shtepitë publike, ose bordelet si quhen rëndom nëpër shkresat zyrtare. Veç këtyre grave që punonin prej vitesh në shtëpitë pubike ishin dhe vajza të reja, të cilat vinin nga Italia dhe shumë shpejt u bënë sipërmarrëse shtëpish të tilla në Tiranë. Ndër emrat e njohur të shtëpive publike njihet hotel “Ferrara” i cili mbante për emër mbiemrin e pronarit italian. Shkresat e vjetra tregojnë se ky hotel pati nam të madh për suksesin e tij në Tiranë, aq sa edhe nga Shkodra i shkuan letra për tju treguar mënyrën sesi funksiononte një shtëpi e tillë. Italiani u shpjegoi të interesuarve se për të hapur një aktivitet të tillë shteti e merrte në mbrojtje nga konkurrenca, dritat I kishte falas dhe qiranë ku ish vendosur shtëpia publike ta kishte sa më të ulët. Po kështu edhe kontrollet e sëmundjerve veneriane. Në vitet 1938-1939 pronarët e shtëpive publike ishin më së shumti meshkuj, ndërkohë që pas këtyre viteve u rregjistruan dhe emrat e pronareve femra që dikur kishin punuar si prostituta. Pas viteve të pushtimit pronarët nuk ishin vetëm shqiptarë, por edhe italianë. Në dokumentet që ruhen në arkivin qëndror të shtetit gjejmë fakte të panumërta për gra të huaja që vinin në Shqipëri. Një pjesë e mirë e tyre vinin edhe në shërbim të ushtrisë italiane apo bashkë me ta. Në disa prej dokumenteve gjendet emri i Eva Pigan, e cila mori kundrejt pagesës licensën e një ish pronari dhe u bë vetë drejtoreshë e njërës prej shtëpive publike më të njohura në Tiranë. Numri i këtyre shtëpive u shtua nga viti në vit. Pikërisht në 20 korrik të vitit 1937 kryetari I bashkisë së kryeqytetit Abidin Neprevishta njofton Komandën e Gjindarmarisë së qytetit se gjithë pronarët e bordeleve u detyruan të vënë dritat e kuqe pranë lokaleve të tyre. Nga listat e vjetra rezulton se në qytetin e Tiranës numëroheshin 79 gra publike të liçensuara, ndërkohë që nuk mungonin edhe rastet kur femra të ndryshme kapeshin në flagrancë dhe duke parë sjelljen e tyre, ato dërgoheshin në shtëpitë publike edhe me dhunë. E gjitha kjo bëhej në emër të një morali të shëndoshë, pasi gra të tilla jo vetëm që binin në sy për keq tek popullsia vendase, por edhe rrezikonin me sëmundje djemë të rinj të cilët josheshin me lehtësi.
Gratë publike të Shkodrës
Termi njeri publik është fortë i ngjashëm me gra publike, por në fakt ky I fundit etiketone pikërisht ato gra të cilat mund të përdoreshin prej të gjithëve. Në Shkodër në vitet 40-të numëroheshin 55 gra të tilla. Po kështu veç tyre kishte edhe gra të tjera të cilat punonin në fshehtësi. Kjo jo për një kohë të gjatë sepse populli i Shkodrës reagonte deri në zgjidhje të situatave të tilla të pahijshme. Të reagonte shteti do të thoshte që gra të tilla të merreshin dhe me forcë dhe të bëheshin pjesë e shtëpive publike. Një fenomen i tillë ka ndodhur me një grua e cila shfrytëzohej prej një mashkulli jabanxhi në Shkodër në lagjen e quajtu Kodra Luguçeme në vitin 1941. Në dokumentet zyrtare të qytetit të shkodrës gjenden edhe të dhena interesante sesa fitonte shteti nga këto shërbime. Në vitin 1940 për periudhën korrik-gusht-shtator në arkën e shtetit hynin 334 franga ar. Gjenden edhe shuma të tjera për muaj të ndryshëm. Ajo që bie në sy është fakti se pas pushtimi në shtëpitë publike nuk kishte kurrë pushim, ndërkohë që para pushtimit italian në periudhën gusht-shtator shtëpitë publike pothuajse mbylleshin dhe gratë e qejfit iknin me pushime.
Por me shtetin nuk bëhet shaka
Në fakt askujt nuk do ti shkonte në mend që ka qënë një kohë tjetër kur këshilli bashkiak nuk mblidhej për tu marrë me çështje të dukshme, si ndërtim, rregullim territori apo plane urbanistike. Në vitet 40-të këshilli bashkiak mblidhej edhe për të marr vendime për mospagimin e taksës nga prostitutat e vobekta. Në listat e asaj kohe jepen emrat e 22 prostitutave të cilat përjashtoheshin nga taksa e pagesës për vizitat mjekësore. Kjo taksë ishte e madhe duke marrë parasysh që gratë e tilla duhet të shkonin tek mjeku dy herë në muaj. Nga fundi i viteve 30 duket se është vënë në fuqi vizita e detyrushme tek mjeku, pasi dokumentat tregojnë që në vizitën e tyre të parë të 80 femrat që u vizituan dolën me sifiliz. Ishte kjo arsyeja që shumica e tyre nuk e donte vizitën mjekësore, sepse të ishe e sëmurë do të thoshte të rrije më shumë se një muaj pa punë derisa të riaftësoheshe. Në këto dokumente bie në sy detyrimi shtetëror për të vizituar qoftë dhe përdhunisht gratë që nuk i nënshtroheshin vizitës. Përjashtoheshin nga vizita mjekësore drejtoreshat e bordellove të cilat e kishin të ndaluar me ligj të ushtronin prostitucion. Po kështu kur kishte verifikime se gra të tjera që nuk I përkisnin këtij zanati kishin filluar të shoqëroheshin me meshkujt të tjerë veç burrit ato detyroheshin ti nënshtroheshin vizitës. Në dokumente bie në sy një grua e gjobitur me 20 franga ar sepse nuk kish pranuar të vizitohej. Po kështu një dokument interesant është ai për një grua nga Korça e quajtur Dhimitra K e cila ishte grua e dhunshme dhe nuk pranonte të vizitohej. Në nje rast të tillë shteti merrte masa që gruaja e dhunshme që nuk pranonte vizitën e mjekut të internohej në fshatin e saj në Korçë..
“Prety Woman”
Aq sa e vjetër është historia e prostitucionit, po aq është edhe bashkudhëtarja e saj, dashuria. Dokumentet tregojnë se gra të tilla ndryshe nga ditët tona, kur një tutor është dhunues absolut i lirisë së një punonjseje seksi në vitet 40-të një grua e tillë mund ta linte lehtësisht profesionin e saj nëse mes saj e një mashkulli kishte lindur dashuria që kurorëzohej me martesë. Pikërisht në këto dokumentë tregohet për një grua me origjinë nga Shkodra me inicialet H.SH e cila punonte në Tiranë dhe ra në dashuri me pijeshitësin e rrugës ku ndodhej shtepia publike. Pas kërkesës së saj për tu larguar nga puna dhe kontrolleve të shpeshta shëndetësore ajo mundi të martohej me pijeshitësin të cilin e kishte njohur në një natë dashurie nga ato me pagesë…
Po kështu ky fat i mirë ndoqi dhe drejtoreshën e një bordelloje me inicialet XH.Sh e cila u martua me një të njohurin e saj të hershëm. Për gratë publike të cilat dashuroheshin me një burrë, në dokumente ekziston termi “e mbyllun me një burrë”, kjo do të thoshte që ato mund të martoheshin me mashkullin e zgjedhur duke mbyllur kapitullin e trishtë të jetës së tyre kur shisnin trupin për para..
Raste të tjera grash të tilla të cilat deklaronin martesën me një mashkull, por nuk e realizonin atë ktheheshin sërish në bordello, deri ditën që plakeshin e ktheheshin në personazhin e njohur të Migjenit në tregimin ”Historia e njenës nga ato”. Një grua e tillë e quajtu “Luke” apo Gjyste një ditë të tillë përfundonte diku larg qytetit ku pavarsisht të gjithave, të gjithë e tregonin me gisht herë e vetmuar e herë me një burrë shumë më të vjetër se ajo..
Rregulli: Gratë publike të mos ekspozohen
Një grua publike, pavarsisht termit që e shoqëronte si e tillë, nuk ishte fort e preferuar për tu parë rrugëve të qytetit. Një pjesë e mirë e këtyre grave pasi visheshin bukur, lyheshin dhe kriheshin, merrnin një karrocë me qira dher shëtisnin rrugëve të qytetit. Po kjo “modë” doli shpejt “jashtë mode”. Popullit nuk i pëlqente që gra të tilla të dilnin rrugëve si zonja të mëdha e për këtë shteti reagoi. Bashkia e kryeqytetit nxori një urdhër me anë të të cilit ndaloi çdo grua të tillë të dilte nëpër rrugën nëse nuk kishte punë për të kryer. Rastet e vetme kur gratë publike mund të dilnin ishin ato kur kishin punë për të kryer apo për të bërë pazar për sendet që ju nevojiteshin.
Shtëpi publike me qera
Të gjitha bordellot ishin në shtepi me qera. Një pjesë e mirë e tyre vendoseshinn në lagje larg qëndrave apo me më pak banorë, po nuk mungonin dhe rastet kur ato mund të ishin në mes të qytetit. Në Tiranë njëra prej shtëpive publike ndodhej në rrugën e Skënderbeut, ndërsa në Shkodër në lagjen Parrucë. Dokumenta të vitit 1933 tregojnë se pronari i shtëpisë publike në rrugën e Skënderbeut u detyrua që brenda tetorit të atij viti të ndryshojë hyrjen e ta kthejë nga ana e rrugës së Shkodrës, pasi hyrja në rrugën e Skënderbeut binte për keq në sy tek të huajit që do vinin për të kremtuar 28 Nëntorin e Pavarësisë. Shteti ndërhynte gjithashtu edhe në rastet kur lagjet populloheshin shumë dhe shtepia publike stononte mes tyre. Atëherë pronarët e shtepive publike largoheshin nga ajo dhe gjenin një tjetër me qira. Për këtë ata i kërkonin shtetit pak më shumë kohë, pasi një shtepi e tillë nuk lëshohej kollaj me qira kur mendohej se ajo do të shërbente si e tillë. Shteti e miratonte një shtëpi të tillë vetëm kur ajo ishte e përshtatshme dhe me shumë dhoma e tualete. Po kështu shtëpitë publike kishin edhe një dhomë për vizita mjekësore.
Vitet 40-të
Lufta e dytë botërore e dyfishoi numrin e prostitutave. Gjithsesi një pjesë e mirë e “vajzave të qejfit” erdhën së bashku me ushtritë pushtuese dhe ikën së bashku me ato. Eva Pigan dhe pak të tjera si ajo u bënë drejtoresha bordellosh. Italianet nuk ndaloheshin në port për verifikim personi sepse para se ato të mbërrinin, mbërrinin letra ku i kërkohej drejtorisë së portit të mos u hapte probleme vajzave të tilla. Pas vitit 1944 duket se shtëpitë publike u mbyllën e një pjesë e mirë e shqiptare u martuan me kë mundën ose vdiqën beqaresha. Zyrtarisht nuk kishe më shtëpi të tilla, në emër të një morali të lartë. Pas viteve 90 nuk ka shtëpi publike. Duket se opinioni publik nuk është ende i pregatitur për shtëpi të tilla. Punonjëse seksi ka plot gjithsesi, një pjesë e mirë e tyre është rrugëve, shitet për pak para. Ka tutorë që i mbajnë nën kontroll dhe shtet që përgjumet. Pjesa tjetër serviret ndryshe. Mund ta marrësh në një menu restoranti në katin e parë të ndonjë hoteli. Të pashoqëruara me një vizitë mjekësore, por kjo nuk do të thotë dhe të pashoqëruara me një sëmundje. Nga ato që dikur njiheshin si sëmundje antiveneriane, ndërsa sot njihen si sëmundje seksusalisht të trasmetueshme…
Publikuar në blogun www.irenashabani.com
http://www.irenashabani.com/ne-vitet-40-te-atehere-kur-shtepite-publike-nuk-ishin-tabu/