Nga Ardit Bido
Në fund të vitit 2023, zhvillohet censusi i popullsisë dhe banesave, e bashkë me të do të rilindin një sërë debatesh që kanë të bëjnë me vetidentifikimin etnik, përqindjen e pakicave në hapësira të caktuara të vendit, ndërhyrjet e huaja në një proces që do të duhet të përvijohej pa probleme dhe pa dyshim një debat shqiptaro-grek.
Për të krijuar një ide të qartë të lexuesit mbi debatin që mund të vijë në Himarë dhe në Konispol, do të trajtohet shkurtimisht koncepti i identitetit etnik dhe kombëtar, fluiditeti etnik, veçanërisht në tri fshatra të Bashkisë Himarë dhe i vllehëve të zonës së Konispolit. Më tej, do të trajtohet vetëdeklarimi, si forma e vetme e saktë e vetidentifikimit, por edhe koncepti i vetëdeklarimit të rremë.
Po ashtu, do të pasqyrohen të detajuara statistikat se sa janë shqiptarët dhe grekët në këto dy bashki, parë nga qasje të ndryshme të përkufizimeve të koncepteve të mësipërme. Në fund, do të analizohet nëse ka pasur rritje artificiale të numrit të personave të vetëdeklaruar si grekë nga numri që rezulton i vetëidentifikuar si i tillë dhe nëse po, sa dhe si kanë ndikuar në këtë aspekt politikat shtetërore të Greqisë, apo grupet e veçanta të interesit.
Përkufizimi i përgjithshëm se grupi etnik është ai grup që ka tipare të veçanta nga grupimet e tjera, të tilla si: origjina, gjuha, feja, zakonet ose doket, nuk na ndihmon shumë për të kuptuar se si krijohet identiteti etnik. Dakordësia e përgjithshme mes studiuesve është se identiteti etnik është, në fakt, një negocim i vijueshëm, por i ngadaltë, mes elementeve të sipërpërmendura dhe proceseve politike të shoqërive, të cilat definojnë përcaktime përfshirëse ose përjashtuese për t’u bërë pjesë e një grupimi etnik të caktuar.
Duke qenë se edhe ky përcaktim mbetet shumë i gjerë dhe sintetizon qindra studime në një debat të vijueshëm në këtë fushë shkencore, do të thjeshtëzohet me disa nga paradigmat ballkanike. Kështu, nëse të qenit shqiptar pas Rilindjes Kombëtare nuk ka kurrsesi element ndarës mes të qenit mysliman, ortodoks, katolik, bektashi, apo protestant, për aq sa gjuha, zakonet e doket janë shqiptare, të qenit serb, kroat, apo boshnjak, është i lidhur ngushtësisht me fenë e folësve të serbokroatishtes. Për më tepër, edhe brenda elementit ortodoks, identiteti i fortë fetar i Mitropolisë së Cetinjës, si një dioqezë e pavarur nga Kisha Serbe gjatë sundimit osman në Ballkan, formësoi një identitet etnik, e më pas kombëtar, të fortë mes malazezëve të ndryshëm nga fqinjët e tyre me të njëjtën gjuhë, tradita, zakone e fe. Po ashtu, vllehtë që u konvertuan në myslimanë mbetën lehtësisht të asimilueshëm, pikërisht sepse një ndër elementet thelbësore të të qenit vlleh, ishte të qenit ortodoks.
Që ky krijim i identiteteve të reja etnike është proces vijues negocimi mes elementëve potencialë përbërës të grupit etnik dhe proceseve politike, doli në pah edhe vitet e fundit përmes ndarjes mes romëve dhe ashkalinjve në Kosovë, bazuar kryesisht mbi fenë dhe kahjen e tyre ndaj shqiptarëve e serbëve.
Shembujt e grekëve, maqedonasve, apo turqve janë edhe më të komplikuar, pasi proceset e krijimit të identitetit etnik te ta u transformuan edhe më tej përgjatë procesit të tyre të kombformimit dhe të krijimit të identitetit kombëtar, që është një narrativë me më shumë elemente politike të negocimit të identitetit. Kjo bëri që turq etnikë ortodoksë të deklaroheshin grekë, grekët myslimanë të bëheshin turq, bullgarë të territorit të Maqedonisë së Veriut të bëheshin maqedonas, pomakët të ktheheshin në torbeshë në Maqedoni e pjesërisht turq në Greqi e Bullgari, e kështu me radhë. Këto procese të kombformimit në Ballkan tentuan, si kudo tjetër, të konvergojnë sa më shumë të jetë e mundur identitetin etnik me identitetin kombëtar. Kjo tentativë rezultoi përgjithësisht e suksesshme, aq sa në Ballkan, identiteti etnik vlerësohet si sinonim me identitetin kombëtar. Mirëpo, siç do të shohim mbi rastin e kuçovllehve, ky nuk është gjithnjë rasti, veçanërisht për etnitë e pashteta të Ballkanit, si romët dhe vllehtë.
Pikërisht fakti që identiteti formësohet si negocim mes individit që i përket një grupimi të caktuar dhe shoqërisë që përcakton rregulla të përgjithshme të përkitjes, bën që shumica në një shoqëri të ketë fjalën e parë në asimilimin ose në përjashtimin e një grupimi të caktuar. Kështu, pas themelimit të shtetit, grekët nuk e kishin të vështirë krijimin e identitetit kombëtar grek (integrimin në kombin e tyre) e më pas ndryshimin e identitetit etnik (asimilimin e plotë etnik) të shumicës së ortodoksëve shqiptarë, vlleh, bullgarë, apo turq që kishin në territorin e tyre. Edhe serbët e patën më të thjeshtë të integronin në kombin e tyre e më pas të asimilonin etnikisht rreth 10 mijë ortodoksë shqiptarë, që shteti shqiptar llogariste se ishin në Kosovë deri në vitin 1941, apo ai maqedonas, shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme, Manastirit dhe Krushevës. Nga ana tjetër, popullsitë “e përjashtuara” të këtyre kombësive, shpesh u asimiluan nga pakicat, si një pjesë e maqedonasve/bullgarëve myslimanë që deklaroheshin turq apo shqiptarë.
Koncepti i identitetit si një soliditet i pandryshueshëm, mund të marrë si kundërshti vetë rastin tonë pas Rilindjes Kombëtare. Identiteti shumëfetar i etnisë dhe kombit shqiptar bëri që, ndërkohë që ortodoksët jashtë Shqipërisë të asimiloheshin nga etnitë e tjera, nuk ka pasur asnjë dilemë të identitetit të ortodoksëve shqiptarë brenda territorit të Shqipërisë politike, që nga fillesat e shtetit e deri tani. Nëse kombi shqiptar do të formohej duke marrë parasysh elemente të ndarjes fetare, siç u tentua nga ndërhyrjet e huaja, grupimet fetare do të mund të ktheheshin në pakica etniko-fetare si në çdo paradigmë tjetër.
Po ashtu, pikërisht për shkak të këtij procesi negociues që merr parasysh gjuhën e jo fenë, Shqipëria e ka pasur më të lehtë të integrojë në trungun kombëtar tri nga pesë nëngrupimet kryesore të vllehve të saj, të njohur gjerësisht si shqiptaro-vllehë (arvanito-vllehë nga grekët), të cilët ishin dygjuhësh, si pasojë e bashkëveprimit me shqiptarët. Këto tri nëngrupime janë myzeqarët, frashërotët dhe moskopolitët, terma që përdoren për nëngrupimet dialektologjike, krahinore dhe nënetnike të vllehve dhe jo për shqiptarët myzeqarë, frashërllinj dhe voskopojarë, të cilët janë shumicë në këto tri zona edhe në tërësi, edhe në radhët e ortodoksëve. Ndërkaq, shteti shqiptar e pati më të vështirë të integrojë kuçovllehtë e nëndarjeve gramozjane dhe pindjane, çështje që do të trajtohet në vijim.
Kahkundërt, identiteti i arbërorëve të Italisë mbijetoi pikërisht sepse besimi i tyre me origjinë ortodokse, vinte në kundërshti me shumicën rrethuese italiane, të cilët edhe sot i thërrasin në arbërisht “lëtinjë”, pra, latinë, e jo bizantinë siç arbërorët kanë fenë.
Duke qenë se ky punim nuk po tenton të qëndrojë në elaborimin e plotë dhe detajimin e koncepteve të identitetit etnik dhe kombëtar, që mund të vijojë në thellësi të pafundme, do të përqendrohet te koncepti që është i nevojshëm për të analizuar rastin e Himarës dhe të Konispolit: fluiditeti i identitetit etnik.
Fluiditeti i identitetit etnik ndodh kur kriteret përgjithësuese të narrativës që shoqëria vendos, nuk plotësohen tërësisht nga një nëngrupim shoqëror i caktuar. Në këtë rast, negocimi mes elementeve të nëngrupimit (gjuha, feja, zakonet dhe doket, origjina), nuk arrin të krijojë një përputhje tërësore me narrativën e përcaktuar nga shumica në procesin politik, duke pamundësuar një konsolidim të plotë të identitetit të nëngrupimit. Kështu, një nëngrupim me të njëjtat karakteristika, si: gjuha, feja, zakonet dhe doket, ndahet me fise që vetidentifikohen me etni ose kombësi të ndryshme, pa ndryshuar doemos karakteristikat e tyre. Raste të fluiditetit të identitetit etnik dhe kombëtar ka në çdo vend ballkanik, madje shumë herë më të theksuara sesa në rastin e shtetit shqiptar. Mirëpo, në vijim do të analizohet vetëm rasti i Shqipërisë.
Për shembull, popullsia e Gollobordës ka për gjuhë amtare një dialekt të maqedonishtes dhe/ ose bullgarishtes, ndërsa ajo e Gorës, një nëndialekt të dialektit torlak, që është dialekti tranzicional mes bullgarishtes dhe serbishtes. Mirëpo, këto dy popullsi kanë zakone e tradita të përafërta me popullsitë shqipfolëse të zonës dhe rrëfejnë për origjinë shqiptare në historitë e tyre gojore. Mbi të gjitha, shumica dërrmuese e këtyre popullsive nuk plotësojnë kriteret diakronike të grupimeve etnike me të cilat ndajnë një gjuhë, pasi nuk e kanë besimin fetar mbizotërues të tyre. Këto popullsi mund të vetidentifikoheshin lehtësisht si gorane e gollobordase (si identifikim rajonal), bullgare (si identifikim gjuhësor), maqedonase (si identifikim gjuhësor dhe territorial), pomake (si identifikim gjuhësor dhe fetar), torbeshe (si identifikim gjuhësor, territorial dhe fetar), turke (si identifikim fetar), serbe në rastin e goranëve (si identifikim gjuhësor, politik e territorial), shqiptare (si identifikim origjine, traditash e zakonesh territoriale). Mirëpo, ato e kanë pasur më të thjeshtë në procesin identifikues të vetëdeklarohen në masën dërrmuese si shqiptare. Këto grupime rezultojnë se kanë një stabilitet të identifikimit të tyre etnik dhe kombëtar, teksa vetëm një pakicë e popullsisë u deklarua si maqedonase, gorane, ose bullgare në censusin e vitit 2011.
Shembulli i dytë i fluiditetit të identitetit shihet në zonën e Korçës, te nëngrupet e kuçovllehve (pindjanët dhe gramozjanët) në shumicë relative, (por edhe një pakicë të vllehve të nëngrupimit të moskopolitëve), të cilët, për shkak të ndikimit të Greqisë, si popullsi nomade që jetonin në zonën e Pindit dhe Gramozit, në fqinjësi të grekëve, rreth 2000 vlleh me këtë prejardhje vetidentifikohen si grekë në vetidentifikimin e tyre kombëtar të sotëm. Ndërkaq, shumica relative e vllehve të nëngrupimit të moskopolitëve dhe një pjesë shumë e vogël e nëngrupimit të vllehve pindjanë ose gramozjanë (kuçovllehtë) vetidentifikohen si shqiptarë. Një pjesë e tretë, thuajse aq sa ata që vetidentifikohen si grekë, ndarë mes vllehve pindjanë/gramozjanë dhe moskopolitë, vetidentifikohen si vlleh. Ky identitet fluid, ndoshta është edhe më interesanti për të kuptuar ndarjen mes identitetit etnik dhe atij kombëtar.
Kështu, të tria këto grupime, kanë të njëjtën gjuhë, shumë të ndryshme nga shqiptarët dhe grekët, të njëjtat doke, zakone e tradita, me nuanca dukshëm të ndryshme nga shqiptarët etnikë dhe grekët etnikë dhe besim të njëjtë me një pjesë të mirë të shqiptarëve etnikë të zonës ku jetojnë (në Korçë nuk ka grekë etnikë). Megjithatë, edhe pse janë vlleh etnikë dhe e ruajnë këtë vetidentifikim etnik, janë të ndarë në numra thuajse të barabartë ndër ata që në kuptimin kombëtar vetidentifikohen si shqiptarë, grekë apo vlleh. Gjithsesi, duke qenë se shqiptarët etnikë në zonën e Korçës, në çdo rast përbëjnë mbi 95% dhe shqiptarët ortodoksë përbëjnë mbi 90% të ortodoksëve të zonës, ky fluiditet i identitetit etnik nuk mund të prodhojë në masë të madhe pasoja politike, si çështja që do të trajtohet në Himarë dhe në Konispol.
Rast kahkundërt i fluiditetit etnik është rasti i fshatrave Frashtan, Llugar dhe Koshovicë, të cilat janë fshatra me origjinë kryesisht shqiptare, që kanë pasur gjuhën shqipe si gjuhë dominante deri në vitet ’30 dhe me zbehje që gradualisht e zhduku gjuhën shqipe deri në vitet ’60, por me fe, tradita, doke e zakone të njëjta me pjesën tjetër të Dropullit, fshatrat e të cilit janë të banuara me shumicë greke. Këto fshatra me origjinë shqiptare kanë pasur në vijimësi fluiditet të identitetit etnik shqiptar dhe grek, të ndikuar kryesisht nga martesat me fshatrat me shumicë greke, e ndërlidhur me faktin e të qenit në zona të paizoluara fushore.
Nisur nga kjo, përpara se të kalojmë në konceptin e vetidentifikimit dhe të shohim sa është diapazoni real i mundshëm i vetidentifikimit në Himarë dhe në Konispol, duhet të kuptojmë mbi të gjitha çfarë nuk është fluiditeti i identitetit etnik e kombëtar.
Së pari, ky fluiditet nuk nënkupton ndryshim, sepse identiteti etnik ndryshon për shkak të martesave të shumta me fshatrat fqinje. Njësoj si Frashtani, Llugari dhe Koshovica, fshatrat e Muzinës, Pecës dhe Sopikut kanë pasur martesa vijuese me fshatrat me shumicë greke të zonës së Vurgut dhe të Rrëzës, si tri fshatrat e vetme ortodokse shqiptare të hinterlandit të Sarandës dhe Delvinës. Megjithatë, këto tri fshatra nuk kanë pasur fluiditet të identitetit etnik apo kombëtar dhe janë vetidentifikuar historikisht si shqiptare. Kjo, pasi faktori kryesor nuk është origjina e një prej prindërve, e as sa mikse është popullsia, por është vendi ku zhvillohet procesi shoqërizues që formëson negocimin e identitetit dhe mundëson integrimin apo asimilimin e vullnetshëm.
Kështu, në fshatrat e izoluara (kodrinore-malore) të Muzinës, Pecës dhe Sopikut, ku aktiviteti jetësor përqendrohej brenda fshatit, nuset e fshatrave minoritare që martoheshin në to, integroheshin e asimiloheshin duke pamundësuar fluiditetin e identitetit etnik. Nga ana tjetër, në Frashtan, Llugar e Koshovicë, të gjendura në pllajë përballë fushës, në vijimësi vendbanimesh që mundësonin aktivitet jetësor më të gjerë sesa vetë vendbanimi, integrimi dhe asimilimi ndodhi kahkundërt, duke greqizuar këto tri fshatra me origjinë shqiptare me nivel të lartë martesash mikse, zhvendosjeje e bashkëveprimit me fshatrat me shumicë greke. Situatë e ngjashme e fshatrave të izoluara (kodrinore-malore) vërehet edhe në rastin e Himarës, Dhërmiut e Palasës.
Së dyti, fluiditeti nuk nënkupton ndryshim të identifikimit në kohë të shkurtër. Procesi i negocimit të identitetit mund të ndodhë me shpejtësi, vetëm nëse shumica do të ndryshonte “kriteret” e përfshirjes apo përjashtimit në identitetin e vet. Pra, nëse teorikisht do të lindte një rrymë fetare mbizotëruese në shoqërinë shqiptare, do të sillte për pasojë një ndryshim të menjëhershëm në procesin negociues, siç ka ndodhur në Libanin e fillesave të shekullit të kaluar, në lindje të nacionalizmit grek e turk, apo në “procesin e rilindjes” bullgare në fund të viteve ’80. Në kushte normale, në popullsi me identitet të stabilizuar, siç është identiteti shqiptar dhe ai grek, ndryshimi i vetidentifikimit ndodh gradualisht, në një proces shumëbrezësh, që do të thotë se shumica dërrmuese e atyre, gjyshërit e të cilëve identifikohen si shqiptarë, do të identifikohen si shqiptarë e kështu me radhë.
Kështu, procesi në Frashtan, Llugar dhe Koshovicë është një proces i ngadaltë i negocimit të vetidentifikimit në zhvendosjen nga vetidentifikimi si shqiptarë në grekë, që ka nisur që përpara pavarësisë së Shqipërisë, për të kulmuar në vitet ’60. Nga ana tjetër, siç do të pasqyrohet në vijim, në zonat e izoluara (kodrinore-malore) me fluiditet të identitetit, siç janë Himara, Dhërmiu e Palasa, negocimi i identitetit qëndron thuajse statik me ndarje të përafërt mes pendëbardhëve (të vetidentifikuarve si grekë) dhe pendëkuqve (të vetidentifikuarve si shqiptarë), thuajse si në vitet ’30.
Së treti, fluiditeti nuk nënkupton ndryshime radikale në strukturat fisnore të brendshme, edhe pse brenda të njëjtit fis mund të gjejmë individë që vetidentifikohen me etni të ndryshme. Mirëpo, si rregull, kjo ndodh në degë të ndryshme të të njëjtit fis, duke ruajtur trashëgiminë e memories së brezave në vijimësi të këtij identifikimi. Procesi i zhvendosjes së identitetit nga shqiptarë në grekë në Frashtan, Llugar dhe Koshovicë, na rrëfen se si rregull janë degë të fiseve fillimisht, e më pas fise të plota, të cilat për shkak të ndërthurjes së lartë me etninë tjetër, ndryshojnë vetidentifikimin dhe jo individë apo familje të veçanta. Edhe në rastin e Himarës, Dhërmiut e Palasës, si rregull, janë degë të fiseve që krijojnë identitetet pendëkuqe dhe pendëbardha, të trashëguara këto në brezat në vijim.
Së katërti, stabilizimi i fluiditetit nuk nënkupton ngurtësim të identitetit. Ai është një proces negocimi vijues deri në stabilizimin përfundimtar të identitetit, por që edhe atëherë mund të nisë një proces i ri fluiditeti i identitetit etnik drejt rikthimit në identitetin e mëparshëm. Raste të ngjashme janë kornët në Kornuell të Anglisë apo shqiptarët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut.
Sa më sipër, në kushtet e mosndryshimit të kritereve të shumicës, fluiditeti nuk nënkupton ndryshimin e vetidentifikimit të individit përgjatë jetës së tij, as ndryshimin e vetidentifikimit mes prindit dhe fëmijës, apo vëllezërve dhe motrave, as ndryshime radikale që ndodhin në një apo dy breza, e as ndryshim vetidentifikimi prej miksimit të popullsisë, por është një proces gradual, që ndodh kryesisht në degë të fiseve të popullsive me identitet fluid, me njëfarë stabiliteti të negocimit në brezat vijues. Ky koncept i rëndësishëm do të na ndihmojë të kuptojmë në vijim përse elemente të veçanta të vetëdeklarimit masiv si në rastin e Mursisë, apo ndikimet e prodhuara prej individëve të rritur në Greqi si emigrantë, janë vetëdeklarime të rreme dhe devijim nga procesi i negocimit të fluiditetit të identitetit etnik, sikurse edhe do të na ndihmojë të kuptojmë se premtimi i favoreve, si letrat greke, pensionet, bursat dhe inatet, nuk përbëjnë elemente të mjaftueshme që ndryshojnë vetidentifikimin, por veçse ndikojnë në deklarimin e rremë të një identifikimi të ndryshëm nga vetidentifikimi.
Mënyra e formësimit të identitetit etnik dhe kombëtar, aq më tepër edhe në situatat e fluiditetit të identitetit etnik dhe kombëtar, është arsyeja përse e vetmja formë që mund të përcaktohet ky identitet me saktësi dhe rigorozitet është vetëdeklarimi, si një e drejtë bazike e sugjeruar në dokumentet ndërkombëtare të politikave për pakicat. Vetëdeklarimi në census nuk është detyrim, siç shpesh paraqitet rrejshëm në debatin tonë publik. Nuk ka asnjë përcaktim në asnjë konventë apo akt të së drejtës ndërkombëtare, qoftë Shqipëria palë ose jo, që detyron një vend që njeh ose nuk njeh pakica, të ketë pyetje mbi kombësinë dhe fenë në censuse.
Udhërrëfyesi i divizionit të statistikave të Departamentit Ekonomik dhe Çështjeve Sociale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara përcakton në mënyrë eksplicite: “Është e mundur që disa shtete të shmangin nga censusi disa çështje të rekomanduara ose sepse nuk ka nevojë për të mbledhur këto të dhëna, ose sepse ka kufizime ligjore ose sensitivitete të veçanta mbi to, siç mund të jetë për shembull, rasti për çështje, si: fertiliteti, etnia dhe feja”. Sipas tij, “Vendimi për të mbledhur dhe shpërndarë informacion mbi grupet etike ose kombëtare të popullsisë në një census, është në varësi të një sërë çështjeve dhe rrethanave kombëtare, përfshi, për shembull, nevojën e shtetit për këto të dhëna, përshtatshmërinë dhe sensitivitetin e pyetjes për të dhënat etnike në censusin e një vendi”.
Mirëpo, udhëzimet ndërkombëtare përcaktojnë se vetëm përmes vetëdeklarimit mund të mblidhen të dhëna mbi identitetin etnik dhe kombëtar, nëse shteti vendos se i duhet diçka e tillë. Udhërrëfyesi i sipërcituar përcakton: “Natyra subjektive e termit [etni] (për të mos përmendur martesat përmes grupimeve të ndryshme në disa shtete, për shembull) kërkon që informacioni mbi etninë të mblidhet përmes vetëdeklarimit të individit dhe se individët të kenë mundësinë të përcaktojnë disa përkatësi etnike”.
Në teorinë e shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe lëmën e ngushtë të mbrojtjes së pakicave, vetëdeklarimi shihet si forma e vetme e shprehjes së identitetit. Së pari, vetëdeklarimi shmang abuzimin e shumicës, përmes imponimit të një vetidentifikimi të caktuar etnik, të papërputhshëm me atë që ka pakica. Së dyti, duke qenë se identiteti etnik është një proces negocimi, vetëdeklarimi përbën formën e vetme të shfaqjes së identiteteve të reja sa herë që kriteret e vendosura nga shumica imponojnë përfshirje ose përjashtim, siç është rasti i ashkalinjve të Kosovës, të trajtuar më sipër.
Së treti, identitetet e pastabilizuara detyrojnë krijimin e identiteteve të reja të shumicës, siç është rasti i moravëve në Çeki, ku në vitin 1991, 13% e banorëve mbivendosën identitetin e tyre fluid rajonal moravian si një ndërthurje mes arsyeve komplekse të këtij identiteti rajonal dhe një proteste ndaj mbizotërimit të bohemianëve në jetën publike çeke. Pra, vetëdeklarimi shërben veçanërisht për të lejuar evoluimin e identitetit në kushte demokratike, kur ekzistojnë identitete të pastabilizuara, veçanërisht në situata ndryshimesh rrënjësore shoqërore.
Thënë ndryshe, vetëdeklarimi shërben për të matur nëse grupimet me fluiditet të identitetit etnik kanë ndryshuar formën e negocimit përkundrejt shoqërisë ose jo. Rrjedhimisht, ajo ndikohet nga dy faktorë. Faktori i parë është sa janë grupimet me fluiditet të identitetit etnik, që në rastin e Shqipërisë (gollobordasit, goranët, boshnjakët e Shqipërisë së Mesme, vlleh të Korçës dhe Xarrës, banorët e Himarës, Dhërmiut e Palasës) janë në shifra të papërfillshme, në ndryshim nga vendet fqinje, ku pavarësisht konsolidimit të identitetit, grupimet me fluiditet të identitetit etnik kanë qenë shumë të mëdha (për shembull: arvanitasit, çamët ortodoksë, vllehtë, bullgarët, turqit në Greqi). Faktori i dytë është sa rrënjësore janë arsyet e ndryshimit të fluiditetit të identitetit etnik, që në rastin e Shqipërisë mbeten po ashtu minimale, për aq sa nuk ka ndryshime të kritereve të përjashtimit ose përfshirjes, të vendosura nga shoqëria (rast i kundërt për shembull, është vetëdeklarimi gradual si shqiptarë i një pjese të vogël të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoninë e Veriut, për shkak të zhvendosjes nga rregullat e shoqërisë së mbizotëruar nga maqedonasit, ku ata përjashtoheshin nga të qenit shqiptarë, në rregulla të vendosura në një situatë të re politike, bashkekzistencë të një shumice të përbërë nga shqiptarët e maqedonasit, ku të dyja palët i përfshijnë në negocimin e identitetit të tyre).
Nga ana tjetër, vetëdeklarimi është domosdoshmëri kur është i nevojshëm, por njëherazi ka një risk: vetëdeklarimin e rremë. Pavarësisht nga debati joshkencor publik, ku deklarohet se vetëdeklarimi nuk mund të jetë i rremë, sepse është shprehje e lirë, kjo nuk është e vërtetë. Në fakt, vetidentifikimi është vullnet i lirë i individit, pikërisht sepse ai nuk ndryshon lehtësisht. Mirëpo, kjo nuk e imunizon vetëdeklarimin që të mos jetë i njëjtë me vetidentifikimin. Thënë ndryshe, individë që vetidentifikohen si shqiptarë apo grekë, mund të vetëdeklarohen në një census edhe marsianë për të protestuar apo për humor të pavend. Kjo ka ndodhur në një sërë censusesh në mbarë botën.
Për shembull, në vitin 2001, 1,5% e neozelandezëve, krahas shtatëdhjetë mijë australianëve dhe thuajse katërqind mijë britanikëve, deklaruan fenë e tyre si Jedi, frymëzuar nga një personazh i Star Wars, si një formë shakaje virale botërore. Ky u vlerësua si vetëdeklarim i rremë dhe nuk u mor parasysh nga autoritetet përkatëse që e përfshinë në kategorinë “të tjera” dhe jo si besim fetar real. Pra, edhe pse është forma më e mirë e vetidentifikimit, vetëdeklarimi sërish mund të jetë i rremë nëse ndikohet nga faktorë të tjerë, që nuk e cenojnë vetidentifikimin e individit, por krijojnë “shtrembërim, ndryshim ose shitblerje momentale” të vetëdeklarimit të tij.
Parë në qasje teorike bazuar në këtë udhërrëfyes, në Shqipëri nuk ka arsye të ekzistencës së vetëdeklarimit të etnisë dhe fesë në census, për sa kohë që asnjë prej këtyre dy statistikave nuk do të sillte si pasojë, nevojën e ndryshimit të politikës ndaj pakicave në kushte normale, teksa ato janë të vogla në numër dhe nuk ka ndryshime rrënjësore shoqërore që të prodhonin përçarje të identitetit të shumicës shqiptare në identitete rajonale. Kjo vlen edhe për popullsitë me identitet fluid, pasi, siç u pa më sipër, edhe tek ato, vetidentifikimi nuk ndryshon në periudha të shkurtra, e aq më tepër në zona të veçuara (kodrinore-malore).
Pra, Shqipëria nuk ndodhet në kushtet e përcaktuara nga udhërrëfyesi për mbledhjen e këtyre të dhënave, për aq kohë sa hapësirat e banuara nga popullsitë e pakicave janë të mirëpërcaktuara dhe të drejtat e tyre nuk janë të lidhura me elementin numerik, siç është rast në vende të tjera. Aq më shumë që, edhe elementet numerike të përfshira në legjislacionin e brendshëm mbi pakicat, janë të atilla që mund të sigurohen përmes të dhënave dytësore, siç është kërkesa e grupimit të individëve që i përkasin pakicës, pa nevojën e censusit.
Përveç kësaj, për shkak të formave të avantazhimit dhe disavantazhimit, të ushtruar nga shteti grek, si dhënia e pensioneve, shtetësisë e privilegjeve, rrezikon prodhimin e vetëdeklarimit të rremë të vetidentifikimit, duke cenuar elementin e përshtatshmërisë dhe sensitivitetit të paraparë në këtë udhërrëfyes, për aq sa vetidentifikimi përkthehet në shifër anonime dhe jo në vetidentifikim të individualizuar të personave që e kërkojnë të drejtën e paraparë në legjislacionin për pakicat në Shqipëri. Udhërrëfyesi përcakton dy rrethana për të cilat sugjerohet që të jenë këto pyetje në census. Së pari, evidenton që “shtetet me popullsi kulturalisht diverse mund të duan të mbledhin informacion” mbi etninë dhe fenë.
Së dyti, udhëzon që “statistikat mbi përbërjen etnike të emigrantëve… do të ndihmojë në përcaktimin e saktë të rrymës dhe volumit të migracionit ndërkombëtar”. Nëse do të merrnim për bazë këtë dokument thelbësor ndërkombëtar, Greqia, që nuk pyet mbi kombësinë, fenë dhe gjuhën, ka arsye të rekomanduara për ta bërë këtë, së paku për shkak të numrit të lartë të emigrantëve. Ndërkohë që Shqipëria, edhe pse ka pakica, nuk mund të kategorizohet as kulturalisht diverse dhe as ka numër të lartë emigrantësh. Nga sa më sipër, se vendimi për përfshirjen e pyetjeve mbi etninë dhe fenë nuk vjen nga detyrimi i palës shqiptare dhe as është i nevojshëm e në kushte normale nuk do të duhej të kryhej, por është produkt i presionit diplomatik të palës greke, të materializuar edhe përmes paketës së kërkesave për integrimin në BE.