Deputeti Nard Ndoka e ka cilësuar gjuhën e kryeministrit Rama ndaj Greqisë si gjuhë dëshpëruese që përpiqet të gjejë armiq të jashtëm në kushtet e dështimit të qeverisë.
Ndoka ka reaguar përmes një statusi në “Facebook”, por nga ana tjetër e cilëson si të papranueshme ndqërhyrjen e fqinjit jugor në çështjet e brendshme të Shqipërisë.
Statusi:
Për orë të tëra qytetarët dëgjuan sot në Kuvend një debat tërësisht artificial të stisur nga kryeministri Edi Rama. Duke i bërë bisht shumë problemeve të brendshme, që janë krijuar nga dështimi i qeverisjes së tij, Rama përpiqet të gjejë “armikun e jashtëm”, për të mbuluar papunësinë që ka pllakosur vendin, largimin e qytetarëve në kërkim të azilit, kanabisin që lulëzon në çdo cep, shëndetësinë përtokë etj etj. E quaj të papranueshme ndërhyrjen e Greqisë në punët e brendshme të Shqipërisë, në këtë rast për prishjen e disa ndërtimeve në Himarë, por kjo s’i jep të drejtë kryeministrit ta përdorë këtë çështje si gjethe me të cilën të mbulojë dështimet e tij spektakolare.