Intervenimi ushtarak i Rusisë në Kazakistan për të mbështetur regjimin e vendit, ishte një përpjekje e Moskës për të ndihmuar në parandalimin e një revolte popullore, që ka për qëllim rrëzimin e pushtetit autokrat në shtetin fqinj.
Një javë pas protestave masive dhe trazirave që fillimisht përfshin Kazakistanin, loja e Kremlinit duket se po funksionon.
Presidenti kazak, Qasym-Zhomart Toqaev, ka nisur shtypjen e trazirave që ai pretendon se ishin rezultat i “agresionit terrorist” të mbështetur nga jashtë vendit dhe përpjekje për puç. Ai ka thënë se qetësia është rikthyer dhe se forcat ruse – të cilat erdhën me kërkesën e Toqaevit përmes Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO), që udhëhiqet nga Moska – kanë qenë të suksesshme në mbështetjen në mbështetjen e Qeverisë kazake.
Tani, kur një seri e takimeve të nivelit të lartë kanë nisur ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë me Rusinë mbi rritjen e presionit nga Moska, analistët janë të ndarë se si përgjigja e Kremlinit ndaj trazirave në Kazakistan mund të ndikojë mbi tensionet me Ukrainë, përgjatë kufijve të së cilës, Rusia ka vendosur rreth 100,000 trupa ushtarake.
“Kjo mund ta bëjë Moskën më të hapur ndaj kompromisit sepse mendon se i duhet një dorë e lirë për t’u marrë me krizën në Kazakistan, ose mund ta bëjë Rusinë që të besojë se i duhet të jetë më bindëse pasi ndien se interesat e saj janë të rrezikuara në frontin tjetër”, tha për Radion Evropa e Lirë ish-diplomatja franceze, Marie Dumoulin, që aktualisht është drejtore e programit në Këshillin Evropian për Punë të Jashtme.
Ukrainën dhe Kazakistanin i ndan një kontinent dhe janë mijëra kilometra larg njëri-tjetrit, por të dy shtetet i lidh e kaluara e përbashkët sovjetike dhe marrëdhëniet komplekse me Moskën, teksa Kremlini ka përdorur fuqinë ushtarake dhe ndikimin përmes energjisë për të tentuar që të rimarrë pushtetin e humbur gjeopolitik që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
Para bisedimeve – që nisën në Gjenevë më 9 janar ndërmjet delegacionit rus të udhëhequr nga zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov dhe Zëvendëssekretares amerikane të Shtetit, Wendy Sherman – Kremlini shpalosi listën e kërkesave, të tilla si kërkesa për garanci se NATO nuk do të zgjerohet në lindje në shtetet si Ukraina dhe Gjeorgjia.
Këto kërkesa ruse për garanci të sigurisë, nga disa analistë po shihen si pjesë e një oferte më të madhe të Moskës për një sferë të njohur ndikimi, të cilën ndërhyrja e shpejtë në Kazakistan mund të ndihmojë ta shtyjë përpara.
“Në disa mënyra, forcon përpjekjet e [presidentit rus, Vladimir] Putin”, tha për REL-in, Angela Stent, ish-zyrtare e inteligjencës kombëtare të SHBA-së në Rusi dhe profesoreshë në Universitetin Georgetown.
“Përforcon idenë që Putini e ka thënë në shtëpi për vite me radhë, e që është se Rusia ka marrëdhënie të posaçme me shtetet e ish-sovjetike dhe se ai do që bota e jashtme ta respektojë këtë”.
Situata në Ukrainë
Rreziku është i lartë për të gjitha palët e përfshira, teksa Rusia po grumbullon forcat pranë kufirit me Ukrainën, që inteligjenca amerikane thotë se po përgatitet për një tjetër pushtim të mundshëm.
Moska ka pushtuar dhe aneksuar Krimenë nga Ukraina më 2014 dhe gjithashtu ka mbështetur forcat që luftojnë në lindje të Ukrainës, luftë që ka lënë të vrarë mbi 13,000 persona.
Duke pasur këtë parasysh, shqetësimet mbi përshkallëzimin e konfliktit që po vazhdon në lindje të Ukrainës kanë qenë temë e bisedime në Gjenevë dhe gjithashtu pritet të jenë në agjendë në takimin më vonë gjatë kësaj jave të Këshillit NATO-Rusi që do të mbahet në Bruksel, por po ashtu edhe në takimin në Vjenë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.
SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë janë zotuar për “pasoja të rënda” nëse Rusia pushton Ukrainën. Uashingtoni ka përsëritur se do të vendoste sanksione financiare, teknologjike dhe ushtarake ndaj Rusisë të cilat do të hynin në fuqi menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës.
Oleksandr Danylyuk, ish-sekretar në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha se Putin “e futi veten në një qoshe” teksa lëshoi atë që ai e cilësoi si “ultimatum” ndaj Perëndimit për garancitë e sigurisë dhe kërkesat për zgjerimin e NATO-s. Sipas tij, intervenimi në Kazakistan është një mundësi për liderin rus për të ulur tensionet.
“Kazakistani i ofron atij një mundësi për të hedhur një hap prapa, nëse ai beson se ka tejkaluar aftësitë e tij reale”, tha Danylyuk gjatë një konference të Këshillit të Atlantikut të mbajtur më 6 janar. “Kjo na jep ne ukrainasve hapësirë për të marrë frymë, por jo për shumë gjatë”.
Por, përderisa kriza dhe ndërhyrja ruse përmes CSTO-së mund të shpërqendrojë vëmendjen e Moskës nga Ukraina, po ashtu mund të jetë e përkohshme, tha Paul Stronski, ish-drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare amerikane për Rusi dhe Azi Qendrore.
CSTO ka dislokuar 2,500 dhe si Toqaev dhe Putin kanë thënë se misioni në Kazakistan do të jetë i përkohshëm. Më 11 janar, Toqaev paralajmëroi se trupat e huaja do të tërhiqeshin brenda dy ditësh.
“Sigurisht se ky mund të jetë një devijim për Kremlinin. Por, ky është një kontingjent i vogël trupash që nuk do të duhej të ndikonte në atë që po ndodh në kufijtë e Ukrainës”, tha Stronski për Radion Evropa e Lirë.
Sferat e ndikimit
Putini për një kohë të gjatë e ka akuzuar Perëndimin se po përpiqet që të kufizojë shtrirjen e Moskës dhe shtyrja përpara e garancive nga SHBA-ja dhe NATO-ja vjen në kohën kur regjimet autoritare, miqësore me Moskën, në shtete si Ukraina, Gjeorgjia, Armenia e Bjellorusia dhe tani Kazakistani janë rrëzuar apo kërcënuar nga revolucionet popullore në vitet e fundit.
Duke hyrë në Kazakistan me kërkesën e Qeverisë kazake, analistët thanë se Putini zgjodhi të ndihmonte në shuarjen e protestave para se ato të mund të kërcënonin qeverinë e një shteti që Kremlini e sheh si strategjik, teksa me këtë ndihmë po ashtu thellohet besnikëria ndaj Moskës.
Kjo është hera e parë që CSTO-ja ka kryer mision në territorin e ndonjë shteti anëtar. Kjo organizatë u krijua pasi u krijua aleanca ushtarake e NATO-s pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Ndërhyrja në Kazakistan shënon një identitet të ri për organizatën, gjë për të cilën Putini aludoi gjatë një video-konference më 10 janar, ku morën pjesë liderët e tjerë të CSTO, ku përfshihet Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizia dhe Taxhikistani.
Duke qëndruar në të njëjtën linjë me deklaratat paraprake të Toqaevit, Putini pretendoi se trazirat në Kazakistan kanë lënë të vdekur rreth 164 persona dhe se trazirat erdhën si pasojë e ndërhyrjes nga jashtë. Ai tha se CSTO do të duhet të ndërmarrë hapa që të sigurohet që të dështojnë përpjekjet për ndërhyrje në rajon në të ardhme.
“Masat e ndërmarra nga CSTO e kanë bërë të qartë se ne nuk do të lejojmë askënd që të destabilizojë situatën në shtëpinë tonë dhe të zbatojnë të ashtuquajturat skenarë për revolucione shumëngjyrëshe”, tha Putin, duke iu referuar një vale të protestave që rrëzuan nga pushteti liderët pro-Kremlinit nga Gjeorgjia më 2003 dhe Ukraina më 2005.
Zhvillimi i shpejtë i situatës në Kazakistan i zuri në befasi Kremlinin dhe lojtarët e tjerë rajonalë, por Moska duket se u adaptua shumë shpejt me situatën e krijuar.
“Ajo që na tregon ndërhyrja në Kazakistan është se Rusia është një aktore e shkathët dhe vazhdon të na befasojë”, tha Stronski. “Ndoshta, kjo bën që Moska të ripërqendrojë vëmendjen e saj për pak, por Kremlini mund të trajtojë dy gjëra njëkohësisht”, shtoi ai./ REL