Peter Navarro, këshilltari për tregtinë i Presidentit Donald Trump, paralajmëroi në dy memorandume, të publikuara rishtazi, gjatë muajve janar dhe shkurt për pasojat e rënda që do të kishte koronavirusi vdjekjeprurës për ekonominë e Shteteve të Bashkuara.
Në muajin janar, zoti Navarro ka parashikuar se deri në 543 mijë amerikanë mund të vdisnin nga virusi që kishte shpërthyer në Kinë. Një muaj më vonë, ai sugjeronte se koronavirusi mund të vriste nga 1 milion, deri në 2 milionë amerikanë.
Në memorandumin e tij të janarit, zoti Navarro shkruan se “mungesa e mbrojtjes imunitare, apo e një kure dhe vaksine, do të linte amerikanët të pambrojtur në rastin e një shpërthimi të plotë të koronavirusit në territorin amerikan. Mungesa e këtyre mbrojtjeve rrit rrezikun që koronavirusi të shndërrohet në një pandemi të plotë, duke rrezikuar jetët e miliona amerikanëve”.
Memorandumet e zotit Navarro u publikuan të martën nga “The New York Times” dhe faqja në internet, Axios. Ato janë ndër treguesit më të fundit, se disa prej ndihmësave të Shtëpisë së Bardhë e kishin sinjalizuar Presidentin Trump për shqetësimet e tyre, kohë përpara se ai të shprehej publikisht. / VOA