Sociale

Ndërtimi, fasoni, call center nuk gjejnë punonjës, agropërpunimi po i shkurton


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 11:16 - 24/04/22 |
Opi Nion

Rritja e kostove të lëndëve të para në aktivitetin prodhues dhe në bujqësi pas luftës në Ukrainë ka zbehur perspektivat e punësimit gjatë vitit 2022 në raport me pritshmëritë e fillimit të vitit.
Gjithsesi, ekonomia e vendit ka nevojë edhe për rreth 45 mijë punonjës shtesë këtë vit, kryesisht në fason, call center, ndërtim dhe turizëm. Bujqësia dhe industria agropërpunuese do të shkurtojnë numrin e punonjësve, pasi nuk mund të transferojnë totalisht kostot e larta në çmime.
Turizmi dhe fasoni po rrezikojnë të zgjerohen më tej nga mungesa e punonjësve, teksa janë drejtuar në tregjet aziatike. Mungesa e aftësive tek të papunët po pengon mbushjen e hendekut

Tregu i punës, prej vitesh është bërë pengesë për zgjerimin e mëtejshëm në disa sektorë, por pandemia Covid-19, që shkëputi në mënyrë të menjëhershme marrëdhëniet e punës në shumicën e degëve të ekonomisë, la një hendek që ende nuk është mbushur.

Në fund të vitit 2021 ishin mbi 10 mijë të punësuar më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2019, por lufta në Ukrainë dhe rritja e kostove të lëndëve të para në të gjithë sektorët e prodhimit dhe shërbimeve i ka ndryshuar perspektivat e punësimit këtë vit.

Sektori i turizmit, ndërtimit dhe fabrikat e tekstilit dhe këpucëve, call center parashikojnë të zgjerojnë numrin e punonjësve këtë vit me ritme dyshifrore, ndërsa sektori i bujqësisë dhe industria përpunuese ushqimore do të reduktojnë punonjësit, ose në rastin më të mirë, do të mbajnë kuotat aktuale.

Lufta në Ukrainë i dëmtoi më tej zinxhirët e furnizimit që kishin nisur të shfaqnin probleme që pas pandemisë. Çmimet e lëndëve të para gati janë dyfishuar në një vit.

Rritja e kotove me ritme më të larta se çmimet po frenon zgjerimin në bujqësi dhe industrinë ushqimore, që të dyja së bashku punësojnë më shumë së gjysmën e forcës punëtore në vend. Perspektivat e punësimit janë zbehur pas luftës në Ukrainë, gjithsesi disa sektorë kanë një hendek që shkon në rreth 45 mijë punonjës. Teksa në vend numërohen mbi 160 mijë të papunë, 70% e tyre janë afatgjatë, të dekurajuar dhe të paaftë për t’iu përgjigjur nevojës që ka tregu.

 Turizmi, nevojat për punonjës, rreth 20% më shumë këtë vit

Sektori i turizmit dhe shërbimet në përgjithësi kërkojnë të zgjerojnë punësimin me rreth 20-30% këtë vit. Rritja e numrit të vizitorëve nga njëra anë, dhe shtimi i strukturave akomoduese nga ana tjetër, po rrisin kërkesën për punonjës të rinj.

Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik në Tiranë, tha se, pavarësisht problematikave që ka krijuar lufta në Ukrainë në sektorin e turizmit dhe shërbimeve ka një hendek 20-30% që duhet të plotësohet me punonjës. Kërkesa më e madhe për punonjës shtesë është në zonat bregdetare, ku vitet e fundit është rritur turizmi i organizuar me kontrata e oferta paraprake.

Zonat e Durrësit, Vlorës, Velipojës, Shëngjinit dhe Sarandës kanë nevojë të shtojnë stafet këtë sezon, por ndërkohë gjetja e punonjësve të rinj po has në vështirësi prej emigracionit lë lartë. Sektori i shërbimeve që kontribuoi me rreth 30% të punësimit total ofron punë me sezone dhe paga në këtë sektor është më e ulët se paga mesatare në shkallë vendi.

Megjithëse pagat u rritën me ritme më të shpejta gjatë viteve të fundit, sërish paga mesatare në sektorin e akomodimit, në fund të vitit 2021, ishte 23% më e ulët se paga mesatare në vend.

Paga mesatare zyrtare bruto në sektorin e turizmit arriti në 45,988 lekë në fund të vitit, ndërsa paga mesatare mujore bruto në shkallë vendi arriti në 59,565 lekë.

Në tremujorin e fundit të vitit 2020, paga mesatare në sektorin e turizmit shënoi rritjen vjetore më të lartë me rreth 12%, duke e ngushtuar hendekun me pagën mesatare në shkallë vendi me 2 pikë përqindje në dy vjet.

Sektori i shërbimeve, sidomos akomodimi dhe restorantet, udhëhoqën rritjen e pagave dhe punësimit gjatë viteve të fundit, por nevojat sërish mbeten shumë të larta. Fatos Çerenishti, i cili zotëron FAFA Group, ndër grupet hoteliere më të mëdha në vend, tha se gjetja e punonjësve është shndërruar në një nga problematikat madhore në sektor.

Mungesat e punonjësve nga tregu vendas e kanë bërë z. Çerenishti dhe shumë të tjerë në sektor t’i drejtohen tregut aziatik. “Jemi munduar të bëjmë rritje pagash, pasi na duhet të mbajmë stafin e trajnuar që na mundëson shërbim me standard. Gjithsesi, pavarësisht rritjes së pagave, mjedisi mbetet sfidues, pasi hapen struktura të reja dhe nevoja për staf është e vazhdueshme.

Problemi më i madh këtë vit kanë qenë punonjësit dhe duke qenë se nuk po gjejmë në vend, jemi lidhur me 2-3 agjenci për t’i marrë nga shtete të tjera. Ne shpresojmë që 40 punonjësit e parë të huaj nga vendet e Azisë të vijnë së shpejti, sikurse kemi rënë dakord” – tha Çerenishti.

Turizmi ka qenë në presion të vazhdueshëm dhe shumica e strukturave të mëdha pohojnë se u është dashur të rrisin pagat, për të mbajtur në punë stafin apo për të marrë punonjës të rinj për nevojat që kanë në pozicione specifike.

Pavarësisht realitetit të ri që ka krijuar lufta në Ukrainë, strukturat akomoduese presin më shumë vizitorë këtë vit. Pas gati dy vitesh kufizime të rrepta në lëvizje nga pandemia Covid-19, interesi për udhëtime do të rritet këtë vit, edhe pse kostot e jetesës po ushtrojnë presion mbi shpenzimet që lidhen me argëtimin.

Strukturat e mëdha hoteliere në vend janë shitur që verën e kaluar. Mirëpo fitimet e sektorit kërcënohen nga rritja e kostove të lëndëve të para këtë vit, teksa çmimet e paketave turistike janë negociuar me çmimet e vitit të kaluar.

 

Bujqësia, punësimi me rënie këtë sezon

Fermat bujqësore në zonat më prodhuese të vendit raportuan rënie të nivelit të punësimit këtë sezon, për shkak të reduktimit të mbjelljeve në bujqësi dhe falimentit të fermave të kafshëve. Sektori që angazhon me punë rreth 44% të totalit të të punësuarve në vend, prej vitesh ka shfaqur probleme për mungesë punonjësish prej braktisjes së zonave rurale nga të rinjtë.

Këtë vit, zonat prodhuese në vend, ku janë të përqendruar punonjësit me pagë, do të ulin numrin e të punësuarve. Në zonat e serrave të Beratit, Fierit, Lushnjës dhe Divjakës, sezonin e kaluar, janë reduktuar sipërfaqet e mbjella me rreth 30%. Mariglen Ziu, i cili zotëron gati një hektar serrë në zonën e Kutallisë në Berat, tha se, sipërfaqja serrë këtë sezon është 30% më e ulët.

Çmimet e plehrave kimike, karburantit dhe inputeve të tjera u rritën mbi 60%, ndërkohë që shumica e fermerëve kishin trashëguar humbje nga sezoni i dytë i mbjelljeve më 2021. Të dalë nga një sezon me humbje të larta, në një kohë që çmimet e inputeve ishin me rritje, shumë fermerë kanë braktisur mbjelljet.

Për këtë arsye, në sektorin e bujqësisë do të jenë të angazhuar më pak punëtorë sezonalë. Punësimi me pagë në sektorin e bujqësisë nuk matet nga institucionet vendase, por në total përllogariten rreth 450 mijë persona në vitin 2020, ose 10 mijë më pak se në vitin 2019.

Mosha mesatare e lartë e fermerëve dhe mungesa e pasardhësve të gatshëm për të vazhduar punën në bujqësi paraqet një kërcënim për fuqinë punëtore në të ardhmen e afërt.

Aktualisht, kostoja e fuqisë punëtore në Shqipëri është 10 herë më e ulët se mesatarja e BE-së, ndërkohë që pagat në bujqësi janë nën mesataren kombëtare. Kostot e fuqisë punëtore mund të konsiderohen të lira, por megjithatë jo të aftë për të zëvendësuar produktivitetin e makinerive.

Zhvendosja drejt qyteteve e të rinjve, emigracioni dhe produktiviteti i ulët i sektorit e kanë bërë punën në bujqësi të papreferueshme për të rinjtë. Në tremujorin e katërt të vitit 2021, paga mesatare në bujqësi ishte rreth 35 mijë lekë ose 36.8% më e ulët se paga mesatare në ekonomi. Në tremujorin e tretë 2019, kjo diferencë ishte 25%.

Bujqësia po humbet gradualisht fuqinë punëtore, siç tregohet në anketat e INSTAT (p.sh. Anketa Tremujore e Forcës së Punës të kryer nga INSTAT për tremujorin e tretë 2020, krahasuar me tremujorin e tretë 2019) se norma vjetore e rritjes së punësimit në bujqësi ishte me minus -3.7%.

INSTAT hoqi dorë nga publikimi i rezultateve tremujore të punësimit në bujqësi. Edhe pse bujqësia është sektori më i madh në ekonominë e vendit si në PBB, punësim, sektori është i përjashtuar nga vrojtimet statistikore.

Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe në Europë, që nuk mat ndryshimin e kostove në bujqësi, nuk mat normat e fitimit, ecurinë e punësimit me pagë etj. Në këtë mënyrë, sektori zhvillohet pa orientim dhe mbështetja buxhetore nuk mund të autorizohet për nevojat reale.

 

Burimi: INSTAT

 

Fasoni, nevojë urgjente për 20 mijë punonjës

Sektori fason po refuzon masivisht kërkesa për porosi nga klientë europianë, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Pandemia Covid-19 dhe tani lufta në Ukrainë ka nxitur rritjen e porosive për Shqipërinë.

Por ndërkohë që kërkesa për punë për shumë fabrika është rritur me mbi 100%, furnizimi me fuqi të re punëtore është pothuajse zero. Florian Zekja, nga Unioni i Fasonëve, pohon se fabrikat në të gjithë vendin kanë së paku nevojë edhe për 20 mijë punonjës shtesë.

Fabrikat e tekstilit dhe këpucëve punësojnë rreth 60 mijë punonjës me pagë në të gjithë vendin, ose 10% të të punësuarve me pagë. Të rinjtë e papunë nuk preferojnë të angazhohen në fabrika, edhe pse pagat po rriten.

Me gjithë zhvillimet pozitive, paga mesatare zyrtare në sektorin e industrisë përpunuese në vitin 2020 arriti 79 mijë lekë, ose sa 70% e pagës mesatare zyrtare. Vështirësia që paraqet puna në fabrika dhe konkurrenca që ka sektori nga emigrimi e ka çuar në zero kërkesën për të punuar në fabrika.

Forca punëtore e specializuar në këto 30 vite është drejt plakjes, teksa fabrikat po mundohen të mbajnë nivelin e prodhimit në kontroll, duke investuar në teknologji, duke mbyllur ciklin dhe duke synuar klientë me vlerë të lartë.

Sektori fason punësoi zyrtarisht rreth 56 mijë punonjës para krizës pandemike në vitin 2019, por Unioni i Fasonëve pohon se, nevojiten urgjentisht mijëra punonjës të tjerë për të përballuar rritjen e porosive.

Kërkesa për punë ka shënuar rritje të shpejtë, por shumë fabrika kanë refuzuar porositë, për shkak të mungesës së punonjësve, të cilët po synohet të zëvendësohen me aziatikë ose me punonjës nga Bangladeshi.

Shumë fabrika janë lidhur me agjencitë e punësimit për të rekrutuar punonjës nga Azia, por po përballen me vështirësi në këtë drejtim. Shumë vende aziatike, prej të cilave Shqipëria kërkon punonjës, si, Bangladeshi dhe Sri Lanka nuk kanë ambasada në Shqipëri. Procedurat burokratike janë të shumta dhe kërkojnë kohë, teksa nevoja për punonjës paraqitet urgjente.

Pandemia pati ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët, sepse si pasojë e infektimeve dhe karantinave të gjata, punonjësit humbën lidhjen me vendet e punës. Por me rikthimin drejt normalitetit, i gjithë globi po përballet për një kërkesë jo të zakontë për mallra, ndërkohë që shumë punonjës kanë refuzuar të kthehen në punë pas pandemisë.

Eva Laro, e cila zotëron ProDyn, një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të këpucëve në vend, tha se, sfidat më të mëdha janë punonjësit, ku shihet një rënie e vazhdueshme e personave të rinj të interesuar për punë.

Për të plotësuar nevojën për punonjës, ProDyn po ndërmerr një projekt të rëndësishëm, që është rritja e cilësisë/saktësisë së listës së personave që rezultojnë të papunë, por që vërtet dëshirojnë të punësojnë dhe janë të aftë për të punuar (edhe pse pa aftësi teknike specifike, pasi ata mund të trajnohen nga qendra e trajnimit në fabrikë) – tha ajo.

 

Burimi: INSTAT (Anketa e forcës së punës)

 

Call center parashikon rritje të punësimit

Call center, ofruesit më të mëdhenj të punësimit për të rinjtë e arsimuar, parashikojnë të zgjerohen edhe më tej këtë vit. Lorenc Goga, i cili drejton kompaninë “Facile.it”, tha se edhe pas luftës në Ukrainë, nevoja për punë është më e madhe se oferta nga tregu i punës.

Ai tha se, në kushtet e mungesave, kompanitë e mëdha do të mundohen të përthithin gati të gjithë kërkesat për punësim nëpërmjet pagave mesatarisht më të larta dhe përfitimeve të tjera. Kompanitë e vogla, sipas tij, do ta kenë shumë të vështirë të mbijetojnë. Këtë vit, sektori call center ka nevojë edhe për të paktën 1000 punonjës shtesë sipas vlerësimeve nga tregu.

Prej 2-3 vitesh, kompanitë po hasin vështirësi në gjetjen e punonjësve të rinj. Përveç emigracionit, faktor frenues është edhe konkurrenca e pandershme nga lulëzimi i platformave të paligjshme Forex.

Sektori nuk gjen punonjës kryesisht për dy arsye kryesore: emigracioni dhe mungesa e njohurive e gjuhës italiane tek të rinjtë e sotshëm. Duke qenë se 90% e call center ofrojnë shërbime për tregun italian tani shihet që gjenerata që ka lindur pas viteve 1990 nuk e njohin italishten si brezi që lindi në kohën e komunizmit dhe e mësoi italishten nga televizioni.

Në anën tjetër, në vitet 2020-2021, në vend pati një bum të hapjes së platformave Forex. Funksionimi i paligjshëm i tyre deformoi parametrat e tregut të punës. Këto kompani ofrojnë paga shumë herë më të larta se tregu dhe për këtë arsye, shumë të punësuar në call center u larguan për t’u punësuar në Forex.

Por duke qenë se disa platforma Forex në vendin tonë u përfshinë në hetim, pritet që kjo të ndikojë pozitivisht te shërbimet call center. Gjatë këtij viti është rritur volumi i kontratave të punës për shërbimet e blerjes online, që njohën hov zhvillimi në pandeminë e COVID-19.

Shërbimet e asistencës ndaj klientit po evoluojnë fuqishëm, sepse shtytja drejt dixhitalizimit po i zhvendos vëllimet drejt vetëkujdesit. Ky është një trend që do të çojë në ulje të vëllimeve, pavarësisht sektorëve.

Nga ana tjetër, pandemia ka larguar qytetarët nga kanalet fizike, duke rritur ndjeshëm blerjet online në të gjithë sektorët. Tregtia online dhe menaxhimi i saj është një shërbim me vlerë më të lartë se shërbimet call center ndaj klientit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, këto njësi punësuan rreth 8 mijë punonjës në vitin 2020, ose rreth 1,5% të të punësuarve me pagë në të njëjtin vit.

 

Burimi: INSTAT (Anketa e forcës së punës)

 

Industria ushqimore, rënie të të punësuarve

Industria agroushimore në vend parashikon rënie të numrit të punonjësve këtë vit, ose në rastin më të mirë, qëndrimin në vendnumëro për shkak se, klima e biznesit në këto njësi është përkeqësuar ndjeshëm, nga rritja e kostos së lëndëve të para, kryesisht karburantit, gazit dhe energjisë elektrike, si dhe konkurrencës nga importi.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, tha se, ka vështirësi për të mbajtur numrin e punonjësve aktualë, ndërsa Alban Zusi, i cili zotëron një fabrikë për përpunimin e mishit, parashikon reduktim të stafit. Rritja e shpejtë e kostove të lëndëve të para, sidomos të energjisë me 300% dhe karburantit, ka rrënuar projektet për zgjerim të industrisë.

Në vitin 2020, punësimi në sektorin e agropërpunimit ishte rreth 13 mijë persona, ose 2.6% e totalit, ndërsa në sektorin e peshkimit dhe në industrinë e përpunimit të peshkut ishin të punësuar, në të njëjtin vit, mbi 9000 persona. Z. Jaka tha se kostot e prodhimit janë shumëfishuar prej rritjes së çmimeve të lëndëve të para, ndërsa ato nuk mund të reflektohen në çmimet finale, për shkak të konkurrencës nga importet.

Gjendja është alarmuese në fabrikat e përpunimit të qumështit, të cilat po vuajnë mungesën e furnizimeve me lëndë të parë (qumësht) nga tregu vendas, nga rënia e numrit të bagëtive. Çmimi i qumështit nga furnizuesit ndaj fabrikave është rritur me 20-30% këtë vit, ndërsa faturat e pagesës së energjisë janë rritur me 300%, për shkak se shumica e tyre furnizohen nga tregu i lirë dhe janë të ekspozuar totalisht nga tregu i lirë.

Fabrikat pohojnë se rritja e kostove nuk mund të transferohet tërësisht në çmime, pasi produktet tona konkurrohen nga importi, të cilat mbërrijnë në tregjet shqiptare me çmime konkurruese, pasi vendet e tyre të origjinës i subvencionojë të gjitha hallkat e bujqësisë nga prodhimi deri te përpunimi.

Industria agroushqimore është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, duke shfaqur rritje vjetore të vlerës së prodhimit. Në vitin 2020, numri më i madh i ndërmarrjeve përpunuese ishte në sektorin e prodhimit të bukës (55.9%), atë të qumështit dhe produkteve të qumështit (12.7%) dhe të prodhimit të vajit vegjetal (7.7%).

Ndërmarrjet agroushqimore janë të përqendruara kryesisht në Tiranë (31%), Fier (12%) dhe në Durrës (10%). Numri më i lartë i të punësuarve në industrinë agroushqimore ishte në Tiranë (34.8%), i ndjekur nga Durrësi (14.6%) dhe Elbasani (9.5%).

Rritja e vëllimit të prodhimit është kryesisht për shkak të mishit të ngrirë dhe të produkteve të mishit të ngrirë, prodhimit të miellit, bukës dhe makaronave, qumështit dhe produkteve të qumështit.

Në të njëjtën kohë, ka një rënie të prodhimit të pijeve alkoolike. Ndërsa vlera e prodhimit është rritur, kryesisht në sektorët e qumështit dhe produkteve të qumështit, në sektorin e peshkut të konservuar, në sektorin e ujit të ambalazhuar dhe të pijeve joalkoolike. Njëkohësisht ka një rënie të prodhimit të ëmbëlsirave.

Pesha më e madhe e investimeve gjatë viteve 2015 – 2020 është regjistruar në prodhimin e miellit nga drithërat, në prodhimin e bukës, prodhimin e ujit të ambalazhuar dhe të pijeve joalkoolike, produkteve të peshkut të përpunuar, qumështit dhe produkteve të qumështit.

 

Ndërtimi ka nevojë për punonjës shtesë, por tregu ka mungesa

Operatorët në sektorin e ndërtimit kanë nevojë për punonjës shtesë, për shkak të projekteve të reja që pritet të nisin këtë vit, por tregu i punës ka mungesa, sidomos me profesionistë. Kompanitë që preferuan të ruanin anonimatin pohuan se, sektori po zgjerohet nga rritja e lejeve për ndërtimin dhe kërkesa e lartë për rikonstruksione dhe për arredim.

Sektori i ndërtimit punësoi rreth 51 mijë persona në vitin 2020, duke kontribuar në më shumë se 10% të punësimit jobujqësor. Edhe pse vit pandemik, ndërtimi ishte nga të paktët sektorë që rriti punësimin me mbi 7% gjatë vitit 2020.

Gjetja e punëtorëve, përveçse po vështirësohet, po ndikon në rritjen e kostos së punës. Punonjësit në ndërtim po bëhen gjithnjë e më të shtrenjtë, pohojnë ndërtuesit, të cilët thonë se po aplikojnë rritje të pagave çdo 6 muaj për të stimuluar mbajtjen e punonjësve që po joshen çdo ditë nga emigracioni.

Vetë ndërtuesit pohojnë se e kanë keqtrajtuar forcën punëtore me paga të ulëta, teksa tani, shumë prej tyre po marrin punonjës nga rajoni, Bosnja dhe Kosova, me paga shumë më të larta se punonjësit shqiptarë.

Perspektiva e punësimit në ndërtim është pozitive këtë vit. Të dhënat e publikuara nga INSTAT për lejet e ndërtimit në vend treguan se sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet, për të gjithë vitin 2021, arriti në 1.65 milionë metra katrorë, duke shënuar nivelin më të lartë të paktën që nga viti 2010, kur raportohen të dhënat.

Në krahasim me vitin e mëparshëm, sipërfaqja e dhënë për leje është rritur me 47%, teksa në vitin 2020 u vu re një frenim i lejeve të dhëna, për shkak të kufizimeve të krijuara nga pandemia. Në raport me vitin 2019, kur u shënua rekordi i ri i dekadës së fundit, sipërfaqja e lejeve është rritur me 17%.

Ndërsa në raport me 2015-n, viti kur u dhanë më pak leje, sipërfaqja është 7.4-fishuar. Pas 2015-s, Bashkia është treguar “dorëlëshuar” me ndërtuesit. Sipërfaqja e dhënë në Tiranë për vitin 2021 është sa 71% e totalit të dhënë për gjithë Shqipërinë.

Në sipërfaqen totale të lejeve të dhëna për ndërtim, mbi 70% e saj është për banesa, e ndikuar edhe nga rindërtimi pas tërmetit. Pjesa më e madhe e lejeve që u dhanë vitin e kaluar nisin nga puna këtë vit./Monitor

Burimi: INSTAT

Pas