Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u vendos sekuestro preventive mbi një objekt ndërtimi dy kate në emër të shtetasit Xh.Ç. me sipërfaqe toke rreth saj 660 m2 në Kërrabë, Petrelë, pjesë e parcelës ku Prokuroria sekuestroi edhe 7 ndërtesa në formë vilash me strukturë betoni me sipërfaqe të ndryshme dhe me mbulesa të llojit çati dhe tarracë betoni.
Ndërtimet ishin formalisht të pajisura me leje rindërtimi, por që dokumentacioni tekniko-ligjor rezultoi me të dhëna të rreme.
Në vitin 2023, u regjistrua procedimi penal nr.504 për veprën penale “Ndërtim të paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i K.Penal në lidhje me ndërtimin e kryer nga ana e shtetasit Xh. Ç. në parcelën me numër nr.2/a të Ekonomisë Pyjore Krrabë, Petrelë.
Nga studimi i akteve, rezultoi se përveç veprës penale “Ndërtim i paligjshëm” është konsumuar edhe vepra penale “Falsifikimi i dokumenteve” e parashikuar nga neni 186 i K.Penal, pasi sipas Akt Ekspertizës së Thelluar, dt.12.09.2022, në pamje të parë duket të jetë lëshuar nga Instituti i Ndërtimit por që nga informacioni i marrë, ky akt nuk rezulton të jetë kryer përsa kohë nuk është proceduar me kryerjen e një veprimi të tillë për shtetasin Xh.Ç.
Duke qenë se vazhdimi i mëtejshëm i ndërtimit rëndon pasojat si dhe faktin se ky ndërtim është kryer në shkelje të plotë të ligjit, duke qenë para elementeve të figurave të veprave penale të “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikimit të dokumenteve” sipas neneve 199/a dhe 186 të K.Penal, për sa kohë që materiali i falsifikuar ka shërbyer për lëshimin e lejes përkatëse nga ana e Bashkisë Tiranë, çmojmë se ndodhemi në kushtet kur duhet vendosur sekuestro preventive.