Përmbarimi nuk tërhiqet. Tek 4 familjet që jetojnë në ndërtesën pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” ka shkuar një letër ku ata njoftohen se do të prishin ndërtesën, në orën 10:00 të datës 25 mars.
Një nga familjarët, efektivja e policisë Blerta Dervishi, e cila u pezullua pasi protestoi për të mbrojtur pronën thotë se ndaj tyre po bëhet padrejtësi. Ajo ka thënë se do ta mbrojë pronën me çdo formë.
“Shtëpia ime do të shembet bashkë me mua brenda! Kjo ndërtesë do të ndërtohet vetëm mbi kockat e mia dhe mbi gjakun tim”, thotë Blerta.
Një vendim gjykate i formës së prerë për shembjen e ndërtesës solli përplasje, dy ditë më parë, mes banorëve dhe përmbaruesve. Godina, është ndërtuar mbi një truall që me vendim gjykate i ka kaluar pronarit.
Por banorët pretendojnë se pronari ka falsifikuar dokumentet dhe e ka fituar në mënyrë të jashtëligjshme pronën. Familjet kishin nisur procese gjyqësore kundër vendimit, por kishin hequr dorë pas premtimit të pronarit për t’u dhënë shtëpi në pallatin që do të ndërtohet, premtim që ata thonë se ai nuk e ka mbajtur duke prishur njëanshmërisht një kontratë noteriale./Opinion.al