Aktualitet

“Nderi i Kombit”, Meta vlerëson Neritan Cekën në 80-vjetorin e lindjes


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 14:58 - 11/02/21 |
Semiljana Azizi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi arkeologun, politikanin dhe diplomatin e shquar Neritan Ceka me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me rastin e 80-vjetorit të lindjes.

Motivacioni i dekoratës së dorëzuar sot nga Kreu i Shtetit ishte “Në vlerësim të veprës së çmuar dhe punës së palodhur si shkencëtar dhe arkeolog i përkushtuar në ndriçimin, vënien në dukje, ruajtjen dhe promovimin e thesareve të rralla të trojeve tona, të historisë së lashtë, gërmimeve intensive e afatgjata të qytetërimit ilir. Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e vyera e të pamohueshme, si politikan aktiv dhe diplomat, qysh në shembjen e diktaturës, vendosjen e sistemit pluripartiak si dhe më pas, në konsolidimin e institucioneve të reja demokratike në vendin tonë”.

Profesor Neritani është një nga përfaqësuesit më emblematike të atij brezi, që u quajt i pasçlirimit, brez që i mbijetoi mungesave dhe padrejtësive të periudhës së diktaturës komuniste.

Pavarësisht nga kushtet e vështira, ky brez diti të formohet me trashëgiminë e albanologëve më të mëdhenj të kombit, si Aleks Buda, Hasan Ceka, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Selim Islami, Gani Strazimiri, e shumë të tjerë, ku do të jepte kontributin e tij të shquar në formimin e arkeologjisë shqiptare.

Me veprimtarinë e profesor Cekës janë të lidhura krijimi i Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe i kompleksit monumental antik të Selcës së Poshtme, krijimi i muzeve arkeologjike në Apolloni, Fier e Tiranë, ekspozitat ndërkombëtare arkeologjike në Hildesheim, Mynih e Romë, botime të rreth 15 librave e katalogëve mbi arkeologjinë e Shqipërisë, si dhe shumë kontribute të tjera, të vlerësuara, brenda dhe jashtë vendit.”– është shprehur Meta në fjalën e tij.

Sipas Presidentit Meta Ceka vijon të mbetet një zë shumë aktiv, teksa ka uruar që të vijojë të jap kontributin e tij të vyer edhe në vitet në vijim.

“Profesor Ceka vazhdon të mbetet një zë shumë aktiv dhe qytetar edhe në këto kohë të vështira për demokracinë shqiptare.

Unë uroj që të vazhdojë të japë kontributin e tij të vyer edhe në vitet në vazhdim, siç e ka dhënë deri më sot! Dhe nuk dyshoj për këtë, pasi dhe forma e tij fizike është e shkëlqyer.

Për gjithë kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në fushën e arkeologjisë, me zbulimin, ruajtjen dhe promovimin e thesareve tona të rralla, si dhe për kontributet e vyera, si politikan aktiv dhe diplomat, në këtë ditë të 80-vjetorit të lindjes, kam kënaqësinë të vlerësoj Profesor Neritan Ceka me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit.”– përfundon Meta./Opinion.al

Pas