Pas Emmanuel Macron, edhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ra “viktimë” e masave të marra për të kontrolluar lëvizjen e autokolonës së Trump në Nju Jork, teksa dilte nga salla e OKB-së.
Lideri turk u detyruar të priste në këmbë për disa minuta derisa të përfundonte lëvizja e autokolonës së presidentit amerikan.
Megjithatë, në ndryshim nga përgjigja e qetë e presidentit francez, i cili nuk hezitoi ta telefononte zotin Trump, presidenti turk tregoi një fytyrë krejtësisht ndryshe. Siç mund të shihet në pamjet filmike, Erdogan ishte dukshëm i mërzitur dhe nuk pati fare dëshirë të bënte humor me këtë rast.
Macron, nga ana tjetër, pati një reagim që bëri xhiron e rrjetit të hënën në mbrëmje në Nju Jork, pasi u bllokua në rrugë nga oficerët e policisë para sallë ku po zhvillohet Asambleja e Përgjithshme vjetore e OKB-së.
Kur Macron doli nga ndërtesa e OKB-së pas fjalimit të tij në të cilin, ndër të tjera, njoftoi njohjen e shtetit të Palestinës nga Franca, ai e gjeti veten para një bllokade policore që ishte ngritur ndërsa po lëvizte autokolona e Donald Trump.
“Më falni, z. President, gjithçka është e mbyllur, trafiku është ndaluar kudo”, i shpjegoi një oficer policie Macronit të habitur.
Megjithatë, presidenti francez nuk e humbi sensin e humorit pasi telefonoi homologun e tij amerikan. “A e merr me mend, po pres në rrugë sepse gjithçka është ndalur për ju”, i tha ai Trumpit.