Bota

NATO zhvillon stërvitjen bërthamore në Europë ndërsa intensifikohen tensionet me Rusinë



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 22:46 - 15/10/22 |
Opi Nion

Një stërvitje bërthamore e NATO-s me avionë luftarakë që mund të hedhin bomba atomike do të zhvillohet nga java e ardhshme mbi Mbretërinë e Bashkuar, Detin e Veriut dhe Belgjikë, tha aleanca cituar nga SKY.

Trajnimi vjetor po vazhdon pavarësisht nga përshkallëzimi i tensioneve me Rusinë nga frika se Presidenti Vladimir Putin mund të konsiderojë një sulm të vërtetë bërthamor në Ukrainë.

Në mënyrë të pazakontë, NATO zgjodhi të nënvizonte shumë përpara faktin se do të kryhej kjo stërvitje, gjë që duket se ka qenë në një përpjekje për të garantuar transparencë dhe për të zvogëluar rrezikun e ndonjë keqkuptimi në lidhje me ushtrimin tepër sekret dhe shumë të ndjeshëm.

Forcat ajrore nga rreth 14 vende do të marrin pjesë, me deri në 60 avionë që operojnë mbi Evropën veriperëndimore, tha aleanca të premten.

Ato do të përfshijnë avionë luftarakë nga vendet aleate, si Belgjika dhe Gjermania, që mund të mbajnë bomba B61 të ofruara nga Shtetet e Bashkuara, si dhe bombardues B52 të SHBA. Nuk do të përdoren armë të vërteta.

Avionët do të shoqërohen nga avionë të tjerë luftarakë së bashku me avionë për furnizim me karburant dhe aeroplanë spiunazhi.

Qëllimi është të testohet aftësia e aleatëve për të kryer sulme bërthamore.

“Fluturimet stërvitore do të zhvillohen mbi Belgjikë si dhe mbi Detin e Veriut dhe Mbretërinë e Bashkuar,” tha NATO në një deklaratë.

Bombarduesit me rreze të gjatë B-52 do të fluturojnë nga baza ajrore Minot në Dakotën e Veriut.

I organizuar këtë vit nga Belgjika, trajnimi do të nisë nga e hëna deri më 30 tetor.

Oana Lungescu, zëdhënësja e aleancës, tha: “Ky ushtrim ndihmon për të siguruar që parandalimi bërthamor i aleancës të mbetet i sigurt, i garantuar dhe efektiv.”

Një vend i ndryshëm i NATO-s pret stërvitjen çdo vit. Vitin e kaluar radha ishte e Italisë.

Gjithçka që lidhet me politikën, qëndrimin dhe aktivitetin bërthamor të aleancës është normalisht top sekret.

Aleatët përpiqen të jenë tepër të kujdesshëm për çdo koment për armët bërthamore, sepse edhe kjo mund të shihet si shkallëzim./Opinion.al

Në foto: Një bombardues B-52 i caktuar në bazën e Forcave Ajrore Minot në Dakotën e Veriut – nga ku do të fluturojnë disa avionë për stërvitjen./AP

 

Pas