Në bazën Vrpce në Medvegjë, në Serbi, kreu i patrullës ushtarake me katër anëtarë jep urdhra të rreptë komandues, pasi katërshja mbushi me municion mitralozin, snajperin dhe dy pushkët automatike. Pastaj, ata zënë pozicionet në vendet e caktuara.
Prita zihet afër pikës kufitare Kapia, në rrugën ndërmjet Kamenicës e Medvegjës. Është ftohtë dhe ushtarët, veç armëve, kanë më vete edhe shumë rroba. Vendbanimet e largëta janë kryesisht të braktisura, natyra malore është pothuaj e paprekur. Asgjë nuk pipëtin.
“Nuk ka migrantë, trafikantë, kriminelë e as provokues nga Kosova. As kalimtari i rëndomtë nuk duket kund. Vargun e mendimeve e ndërpret zemërimi nga ngrirja e gishtërinjve në atletet e thella dhe lëvizjet e pakuptueshme të ushtarit që rri në atë që quhet mbrojtje ku secili shikon secilin dhe në drejtim të caktuar. Për sqarime është më mirë të kthehet në bazë, në kazermë, ku në temperaturën 25 gradë është shumë më këndshëm”,- shkruan gazeta e Beogradit “Blic”.
“Ushtarët komunikojnë me sinjalet për të cilat janë marrë vesh më herët. Në rast se ndodh diçka, ata kanë radiolidhjen e shifruar dhe komunikojnë me bazën. Kemi planin shtatë ditor përmes të cilit bëjmë raportet ditore e javore. Në bazat tjera tokësore të sigurisë kemi ndeshur vendkalime ilegale dhe prerje mali, por këtu deri më tash, s’e kemi pasur as problemin më të vogël. Në patrullë shkojmë edhe me KFOR-in”,- thotë Vladimir Nikoliç, komandanti, kapiten i brigadës së dytë të ushtrisë tokësore e cila nga 8 tetori e ka marrë bazën Vrpce nga Xhandarmëria.
Pushimi i pasdites ikën shpejt nga zhurma e alarmit shurdhues. Pas pak çastesh ushtarët e armatosur janë në llogore të oborrit në bazë. Fjala është për demonstrim të ushtrimit për mbrojtje të menjëhershme.
“Përpiqemi që ushtarët të reagojnë fill pas sinjalit të alarmit. Me rëndësi është që ushtarët të mos bien në apati. Kjo është pushka me rreze të gjatë 12,7 milimetra e njohur si “shigjeta e zezë”, e ky është granatë hedhësi BGA 30 milimetra”,- zbulon Nikoliç duke treguar “pse askush nuk i afrohet kodrës sipër Medvegjës”.
“Kur në tetor Xhandarmëria u tërhoq nga zona tokësore e sigurisë, shumë serbë në jug u frikësuan për çështjen e sigurisë. U shtrua edhe pyetja se kush do t’i legjitimonte shqiptarët nëse ata e thyejnë ligjin. Nëse ka ndonjë telash, ne mund të thërrasim në ndihmë policinë”,- thotë eprori Nikoliç.
Në afërsi të bazës gjenden shtëpi të braktisura e edhe shkolla e cila punon tri herë në javë dhe në të cilën mësimin e ndjekin vetëm dy djem, Stefan e Lazar nga Banja e Sijarinës./mapo