Muzeu i Louvre-it në Paris është mbyllur gjatë kësaj të premte pasi dhjetra protestues bllokuan hyrjen e tij.
Protestuesit, përfshirë disa punonjës të Luvrit organizuan demonstratën pas një thirrje të bërë nga disa sindikata të majta, kundër ndryshimeve të planifikuara në sistemin e pensioneve për të cilin u shprehën se se “do të ulë pensionet e të gjithëve”.
Disa protestues këndonin “Mona Lisa në grevë, Leonardo është në grevë”. Gjatë protestave disa javëshe në Francë është bllokuar transporti publik si dhe janë mbyllur shumë shkolla, spitale, gjykata dhe madje edhe Kulla Eifel.
Sipas zyrës së kryeministrit vetëm sistemi i transportit publik ka humbur mbi një miliardë euro që nga fillimi i grevës.
Presidenti francez, Emmanuel Macron planifikon një sistem “universal” të pensioneve, që do të eliminojë dhjetëra të ashtuquajtura ‘regjime të posaçme’ për sektorët që shpesh u japin punëtorëve pensione më të larta ose pensione të parakohshme.