Shqipëria është mundur me rezultatin minimal, 1 me 0, nga Spanja, duke mbyllur përfundimisht aventurën e tyre, në Kampionatin Evropian të futbollit, Euro 2024.
Vetëm një gol i Ferran Torres, në minutën e 13’-të të sfidës kanë mjaftuar që “Iberikët” të sigurojnë fitoren, me “Kuqezinjtë” e teknikut Sylvinho, që nuk arritën dot të përmbysin rezultatin duke e mbyllur në mënyrë më të keqe të mundshme aventurën në Gjermani, pavarësisht se porta spanjolle u kërcënua disa herë nga Asllani e Armando Broja.
Shqipëria e mbyll Euro 2024, në vendin e fundit të Grupit B, me vetëm 1 pikë, pas tre ndeshjeve të para, pikë e cila erdhi në barazimin, 2 me 2, ndaj Kroacisë. Ndërkaq, djemtë e Luis de la Fuente mund të thuhet se janë skuadra më e fuqishme, deri më tani në Evropian, teksa e mbylli grupin me 9 pikë dhe asnjë gol të pësuar.