Motra e Kostandin Katsifas do të kryesojë listën kombëtare të kandidatëve për deputetët e Partisë Unioni i Qendrës në Greqi.
Hermioni Katsifa ka deklaruar se ka hyrë në garë me këtë parti pasi ajo dënon forcat politike ekstremiste dhe çdo akt dhune, duke lënë të kuptohet se familja e saj nuk ka lidhje me grupet ekstremiste.
Lajmi për kandidimin e saj u bë i ditur pas takimit që ajo pati me kryetarin e partisë, Vasilis Levendis.
Lista kombëtare e çdo partie greke përbehet nga 12 kandidatë për deputetë, të cilët nuk zgjidhen në bazë të votave personale, por në bazë të shumicës totale të votave që mbledh çdo parti, natyrisht pasi kapërcehet kufiri minimal prej 3% i votave në rang vendi.
Zgjedhjet e parakohëshme në Greqi do të zhvillohen më 7 korrik.
Kujtojmë se Kostandin Katsifa është minoritari grek që mbeti i vrarë më 28 tetor të vitit të kaluar pas një përplasjeje me armë me forcat speciale të policisë shqiptare në fshatin e Bularatit. /Opinion.al