Moti i keq me rreshje të dendura ka sjellë përmbytje edhe në qytete të ndryshme të Kosovës.
Skënderaj është më i prekuri, ku autoritetet lokale kanë shpallur edhe gjendjen e emergjencës. Njoftohet se lumi Klina ka dalë nga shtrati duke përmbytur dhjetë fshatra të kësaj komune.
Ekipet e emergjencave kanë ndihmuar banorët që rrezikoheshin. Vërshime të ujit ka pasur edhe në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut. Edhe atje është shpallur gjendja e emergjencës.
Shirat e dendur kanë përmbytur disa zona edhe në Pejë e Vushtri. Në Zveçan dhe Leposaviq ka pasur raportime edhe për rrëshqitje të dheut.