Në të gjithë Rrethin e Durrësit janë evidentuar 953 banesa të cilat kanë prani uji brenda dhe nëpër oborret e tyre. Më konkretisht këto banesa gjenden në zonën e ish-Kënetës, në lagjen 14 Shkozet, në Zonën e plazhit, në njësitë administrative Manëz dhe Rrashbull.
Janë 160 persona të strehuar në 2 shtëpitë e pushimit, në atë të Ministrisë së Rendit Publik si dhe në atë të Mbrojtjes. Aktualisht janë ngritur 15 grupe pune të cilët po merren me evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga shirat. Ndërkohë janë evidentuar gjithashtu edhe 337 biznese të cilat kanë prani uji në mjediset e tyre.
Gjithashtu nën ujë janë edhe sipërfaqe të tëra të tokave bujqësore në Njësitë administrative të Manzës, Sukthit dhe të Katundit të Ri. Janë mbi 100 ha tokë bujqësore nën ujë.
Shkaku i kësaj situate përpos sasisë së madhe të reshjeve të rëna për disa orë rresht pa ndalim, janë edhe mos funksionimi i mirë i rrjeteve kulluese të ujit siç janë tubacionet e kanalizimeve ashtu edhe kanalet e ujërave të bardha. Mosfunksionimi i tyre lidhet me mungesën e mirëmbajtjes dhe pastrimit të tyre në kohë të thatë ose ndryshe në muajt e ngrohtë të vitit. Për këtë shkak doli nga shtrati kanali i ujërave të bardha që shtrihet nga plazhi e përshkon Shkozetin.
Në ndihmë të banorëve të përmbytur po punojnë grupet e emergjencave civile, janë 100 forca me mjetet e tyre përkatëse të dislokuar në Durrës, janë forcat zjarrfikëse të bashkisë si dhe ato të portit detar, janë forcat dhe mjetet e UKD. Gjithashtu në mbështetje të tyre janë forcat e policisë së rendit si dhe trupa e policisë bashkiake.

















