Policia u ka shkuar në ndihmë 23 turistëve gjermanë, polakë dhe francezë, të cilët kishin mbetur të bllokuar te banjat e Bënjës, për shkak të motit të keq.
Mësohet se gjatë eksplorimit të natyrës, me këmbë dhe me automjete, 23 turistë kanë mbetur të bllokuar, në vendparkimin e zonës së quajtur “Banjat e Bënjës”, në Përmet, pasi automjetet e tyre nuk qarkullonin dot për shkak se rruga ishte prishur si pasojë e daljes së lumit, nga moti i keq.
Pavarësisht reshjeve të shumta të shiut, pas 2 orësh punë intensive, turistët janë nxjerrë nga automjetet e tyre në vendin ku kishin mbetur të bllokuar, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në banjat e Bënjës, nga reshjet e shiut. Turistët janë transportuar dhe janë akomoduar në hotel, në qyetin e Përmetit, ku janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Po ashtu, shërbimet e Policisë bënë të mundur dhe nxjerrjen e automjeteve dhe dorëzimin e tyre te turistët, të cilët mesditën e sotme kanë vijuar lëvizjen për në destinacionet e radhës që do eksplorojnë në vendin tonë.