Këtë të enjte është mbajtur seanca për ankimimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” sa i takon rinumërimit të votave për kryetar bashkie në Elbasan.
Përfaqësuesit e Koalicionit “BF”pretendojnë se ka një mospërputhje mes votave për këshillin bashkiak dhe ato për kryetarin.
“Po të mbledhim votat për kryetar bashkie të dy kandidatëve plus votat e pavlefshme në total janë 65.612 sipas listës që ka paraqitur KQZ në listën përmbledhëse dhe përfundimtare ku është shpallur fitues kandidati i PS. Nëse mbledhim të gjithë votat e partive për këshillin bashkiak ka një numër prej 65.713. Pra ka një mos përputhje të numrit të votave dhe na lind dyshimi i arsyeshëm që në këto pajisje ka problematika”- u shprehën përfaqësuesit e koalicionit Berisha-Meta.
Sakaq, lidhur me këto pretendime përfaqësuesi i PS tha se diferenca e fitores në rezultatin për kryetar bashkie në Elbasan, është mbi 8 mijë vota, gjë që sipas tij nuk lë vend për ankimim.
Në përfundim të seancës u vendos rinumërimi i votave në 3 qendra votimi. Rinumërimi do të kryhet në ambientet e KAS në orën 11:00 të ditës së hënë.