Kureshtja e të rinjve për të provuar dhe eksperimentuar me drogën është shtuar gjithnjë e më shumë vitet e fundit në vendin tonë.
Sipas Shefit të Shërbimit të Toksikologji-Adiktologjisë në QSUT, Andrin Tahiri, problem shqetësues është përdorimi i lëndëve narkotike edhe në moshat e vogla.
“Trendi që na shqetëson është moshat e vogla. Është ulur mosha e eksperimentimit, sidomos te marijuana, sepse është droga më e lirë, por kemi edhe raste të izoluara që kërkojnë asistencë mjekësore nën mbikëqyrjen e familjes. Droga të tjera vazhdojnë të jenë dominante; abuzimi me kokainën është një përdorim droge që lidhet me një buxhet të caktuar. Në lojë, në tregun e zi, futen edhe drogat sintetike, që më shumë përdoren në rastet e festave, janë droga momentale,” tha Andrin Tahiri, shef i Shërbimit të Toksikologji-Adiktologjisë, QSUT.
Komplikacionet janë nga më të ndryshmet, sidomos kur bëhet përzierja e drogës me alkoolin, duke shkaktuar probleme deri në humbje jete, edhe pse janë raste të rralla.
“Mund të ketë humbje jete nga ata që kërkojnë asistencë mjekësore; rastet janë të rralla. Komplikacionet janë të shumta, nuk diskutohet, sepse përzihen kokteje me alkool, kokteje me droga. Kohëzgjatja e abuzimit mund të jetë mbi një ditë, mbi dy ditë, kështu që normalisht komplikacionet janë.”
Në Shërbimin e Toksikologji-Adiktologjisë në QSUT pacientët marrin trajtime të specializuara, por Qendra e Rehabilitimit do të ishte zgjidhja sipas specialistëve.
“Të gjithë ata pacientë që marrin asistencë mjekësore, që kanë një dekurs të mirë klinik, kanë nevojë për një qendër rehabilitimi, që fatkeqësisht është e vetmja hallkë në zinxhirin tonë që mungon. Pra, në qendrën e rehabilitimit fillon dhe edukon sjelljen ndaj drogës dhe alkoolit.”
Specialistët bëjnë thirrje për më shumë kujdes, më shumë komunikim dhe më shumë ndërgjegjësim, sidomos tek grupmosha e të rinjve.
Klan News