Aktualitet

Mitropolia e Fierit reagon ashpër ndaj përdorimit të kishës për intervistë


               Publikuar në : 18:41 - 23/06/19 |
Al Do

Përmes një deklarate të ashpër, Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë së Fierit, e cilësoi si sakrilegj dhe shkelje të normave, intervistën e kandidates së PS për bashkinë e Roskovecit, Majlinda Bufi, e realizuar brenda Kishës së Shën Kollit në Roskovec.

Sipas Mitropolisë së Fierit, kjo intervistë është bërë pa leje dhe ka përdorur ambientet fetare për qëllime politike. Kështu që ato e konsiderojnë këtë “një Sakrilegj ndaj vendeve të Shenjta dhe fyerje të ndjenjave të besimtarëve, pasi ato janë vend lutje dhe adhurimi”.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se kjo intervistë shkel marrëveshjen midis qeverisë dhe Kishës Ortodokse të vitit 2009 që “ndalon ndërhyrjen dhe përdorimin e objekteve fetare nga autoritetet shtetërore.”

Më herët gjatë ditës pati reagime të forta edhe ndaj një takimi elektoral që kandidati i PS për bashkinë e Tepelenës, Tërmet Peçi, zhvilloi në një prej Kishave të zonës.

Deklarata e Mitropolisë së Shenjtë të Apollonisë dhe Fierit

Duke marrë shkas nga një emision i dhënë në ERTV, dhe nga qarkullimi i këtij emisioni në rrjetet sociale, ku një kandidate për Kryetare Bashkie jep një intervistë në ambjentet e një Kishe, pa dijeninë dhe lejen tonë, kërkojmë nga pushteti politik dhe vendor, si edhe nga të gjitha forcat politike, shoqata apo individë, që të mos përdorin Kishat dhe Tempujt e Shenjtë për deklarata, mbledhje apo mitingje politike.

Përdorimi i tyre për motive të tilla përbën së pari një Sakrilegj ndaj vendeve të Shenjta dhe fyerje të ndjenjave të besimtarëve, pasi ato janë vend lutje dhe adhurimi. Së dyti, përbën shkelje të “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” (Ligji nr. 10 057 Date 22.01.2009). Pikërisht, neni 21 dhe 23 i këtij ligji ndalon ndërhyrjen dhe përdorimin e objekteve fetare nga autoritetet shtetërore, me përjashtim të urdhërit ekzekutiv, pasi është marrë pëlqimi nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. /Opinion.al

Pas