Shtohet misteri lidhur me një ngjarje të ndodhur në Shengjergj të Tiranës rreth një javë më parë. Policia deklaron se kemi të bëjmë me një vetëvrasje ndërsa prokuroria po heton për vrasje. Ndërkohë sot në polici kanë dëshmtuar edhe dy persona që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes. Ata kanë thënë se 36-vjeçari, Besnik Pudja ka vrarë veten me pistoletë në gjendje të dehur. Ndërsa PD-ja, disa herë ka akuzuar policinë se po fsheh një ngjarje kriminale.
Dëshmia
Alges Liçi dhe Dritan Buzo, që kanë qenë së bashku me viktimën, natën kur ka ndodhur ngjarja, në deklarimet që kanë dhënë në polici, kanë treguar se Besnik Pudja kishte pirë shumë raki para se të vriste vetën.
“Në një moment, siç ishte i ulur dhe duke mbajtur një pistoletë në dorë, ai u ngrit në këmbë duke thënë se do ikte në shtëpi. Në momentin që ishte gjysmë i ngritur, ka shkrepur armën. Unë isha me shpinë nga ai. Por ai plumb, me të cilin ai vrau veten, më ka goditur mua në shpatull, pasi isha para tij”, është shprehur njëri nga të ndaluarit, raporton gazeta Panorama.
Disa të njohur të 36-vjeçarit, që janë marrë në pyetje në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, kanë pohuar se viktima mbante gjithmonë pistoletë me vete. Madje, bashkë me plumbat e vërtetë, kishte edhe dy gome, me të cilët bënte shkrepje të armës herë pas here në trupin e tij.
Ndërsa disa të tjerë kanë pohuar se ditët e fundit ai po interesohej për të blerë tuba që përdoren për ujitjen e hashashit. Sipas Policisë, kjo e dhënë sjell dyshime se edhe vetë viktima mund të jetë marrë me kultivimin e kanabisit në malet rreth Shëngjergjit.
*Ne foto deshmitaret e ngjarjes