Bota

Miratohet hetimi i votimit në SHBA, pavarësisht mungesës së provave


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 15:53 - 10/11/20 |
Al Do

Prokurori i Përgjithshëm, William Barr ka autorizuar prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara që të nisin hetime për parregullsitë në procesin e votimit, pavarësisht se nuk ka të dhëna për të mbështetur pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump se ai ka humbur zgjedhjet ndaj demokratit, Joe Biden për shkak të mashtrimeve të përhapura zgjedhore.

Si përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorit Barr, mediat amerikane kanë raportuar se udhëheqësi i Degës për Krime Zgjedhore në Departamentin e Drejtësisë, ka njoftuar përmes një emaili se do të japë dorëheqje nga kjo pozitë, pasi ka lexuar “politikat e reja dhe degëzimet në lidhje me të”.

Barr, mbrojtës i ngushtë i Trumpit, është akuzuar nga demokratët për politizim të sistemit gjyqësor disa herë gjatë udhëheqësisë së tij.

Fushata e Bidenit ka thënë se Barr është duke nxitur sugjerime të paargumentuara të Trumpit për mashtrime.

“Këto janë ato lloj pretendimesh që presidenti dhe avokatët e tij janë duke i bërë në mënyrë të pasuksesshme çdo ditë, teksa paditë e tyre janë duke u dërguar nga një gjykatë në tjetrën”, ka thënë Bob Bauer, këshilltar i lartë i Bidenit.

Vendimi i Prokurorit Barr vjen teksa administrata Trump i ka bërë thirrje Departamentit të Drejtësisë që të hetojë pretendimet për mashtrime, në kohën kur ekipi i Trumpit ka nisur padi nëpër disa shtete.

Gjyqtarët kanë hedhur poshtë paditë në Miçigen dhe Xhorxhia, derisa ekspertët kanë thënë se përpjekjet ligjore të Trumpit kanë pak mundësi të ndryshojnë rezultatin zgjedhor.

Në letrën e tij dërguar prokurorëve federalë në gjithë Shtetet e Bashkuara, Barr ka theksuar se Departamenti i Drejtësisë jo domosdo ka të dhëna për rastet e mashtrimit në zgjedhjet e fituara nga presidenti i zgjedhur Biden.

Mirëpo ai ka larguar kufizimet paraprake, që parandalonin prokurorët federalë nga nisja e hetimeve të tilla, të cilat normalisht kryhen nga shtetet.

“Marrë parasysh se votimi në zgjedhjet aktuale është kryer, unë ju autorizoj që të kërkoni rreth pretendimeve substanciale rreth votimeve dhe parregullsive me vota, para se të kryhet certifikimi i zgjedhjeve në juridiksionin tuaj në disa raste”, ka thënë Barr përmes një letre.

“Hetimet të tilla dhe rishikime mund të kryhen nëse ka pretendime të qarta, dhe në dukje të parë kredibile të parregullsive, të cilat në rast se vërtetohen, ka mundësi që të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në ndonjë shtet individual”.

Politika e Departamentit të Drejtësisë ka qenë që të përmbahet nga përfshirja federale, derisa votat të certifikohen, rinumërimi të kompletohet dhe garat të përfundojnë.

Ky udhëzim ka pasur qëllim që t’iu mundësojë zyrtarëve lokalë dhe atyre shtetërorë, dhe jo atyre federalë që të menaxhojnë zgjedhjet.

Mirëpo Barr u ka thënë avokatët se politika aktuale “nuk ka qenë rregull i ashpër” dhe se nëse shohin diçka që mund të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, ata duhet ta ndjekin këtë gjë.

Ky ndryshim vjen teksa republikanët vazhdojnë të rrisin numrin e pretendimeve jopërmbajtësore për votime joligjore dhe mashtrime në procesin e numërimit në disa shtete që do të mund të ndryshonin rezultatin.

Letra e Prokurorit Barr është bërë publike, pas takimit të tij me liderin e republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i cili ka thënë më 9 nëntor se Trump ka të drejtë të hetojë pretendimet për “parregullsi” në zgjedhje.

Trump nuk e ka pranuar rezultatin zgjedhor, pavarësisht pse mediat amerikane kanë thënë se Biden ka fituar, dhe ka margjinë të madhe të votave popullore në të mirë të tij, çka i sigurojnë presidencën./ REL

Pas