Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar pasditen e sotme në lidhje me miratimin e Rezolutës së Srebrenicës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
Shqipëria është një nga vendet që votuan pro, ndërsa rezoluta u miratua me 84 vota.
Nëpërmjet një postimi në platformën “X”, Begaj shkruan se Shqipëria e konfirmoi veten në grupin e vlerave perëndimore.
“Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot një rezolutë që e vendos 11 Korrikun Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.
Shqipëria edhe një herë e konfirmoi veten në grupin e vlerave perëndimore me votën dhe angazhimin e saj që kjo rezolutë të miratohej.
Kjo datë do të shërbejë si kambanë e përhershme për të përkujtuar dënimin e gjenocidit, që masakra të tilla të mos përsëriten më dhe njëkohësisht është edhe një përgjigje ndaj mohuesve të gjenocidit dhe krimeve të tilla të tmerrshme”, shkruan Presidenti i Republikës.