Aktualitet

‘Miqësi vëllazërore’, shokët që u ritakuan pas 25 vitesh


               Publikuar në : 15:58 - 23/06/19 |
xhu lia

Një histori e dhimbshme nga koha e komunizmit është përcjellë ditën e sotme në rubrikën “Kam një mesazh për ty” e emisionit “E diela shqiptare”. Ideali, i ardhur nga Australia e largët tregon për kohët e vështira të internimit dhe arratisjen e guximshme përpara 36 vitesh. Ndërkohë një nga kujtimet më të bukura që ka nga ajo kohë është pikërisht miqësia me shokun e ngushtë të cilin se ka takuar që nga 1994-a.

Dy miq të mirë, të cilët janë ndjerë si vëllezër janë ritakuar pas 25 në Tv Klan. Për herë të parë që prej kohës së arratisjes gjatë komunizmit, Ideali e kishte takuar shokun e tij të ngushtë Admirin sapo kishte hyrë demokracia, në vitin 1993-94. Më pas rrugët e tyre ishin ndarë ku njëri ndodhej  në Australi e tjetri në Bilisht. Kjo miqësi kishte  nisur në kohën kur Ideali dhe familja e tij shikoheshin si “armiq” e “rrezik” potencial për shoqërinë. Megjithatë diçka e tillë nuk e kishte penguar Admirin dhe familjen e tij që t’i hapnin derën e ta mirëprisnin si djalin e tyre. Damka e përndjekjes e kishte shoqëruar Idealin qëkur ishte një fëmijë 8 vjeç pasi i ati i vënë në shënjestër të regjimit komunist për qëndrimet e tij kundër sistemit u detyrua të arratisej jashtë Shqipërisë. Që nga viti 1956 e më pas, kalvari i vuajtjeve për familjen Cane nuk kishte të mbaruar.

Më pas katër anëtarët e mbetur të familjes u internuan në Lushnje, ku më i vogli sapo kishte mbushur 1 vjeç. Fëmijëria e Idealit kaloi mes vuajtjeve dhe lotëve të së ëmës, e cila pas ikjes së bashkëshortit duhej të përballonte e vetme rritjen e tre fëmijëve. Herë pas here, Ideali shkonte tek dajat në Bilisht ku filloi dhe shkollën dhe aty zë vend dhe njohja me Admirin, shokun e ngushtë.

Në rrëfimin e tij Idelai tregon me respekt faktin që Admiri dhe familja e tij e pranuan të futej në shtëpinë e tyre ndonëse ‘njollës së tij në biografi”. Në vitin e fundit të maturës, Ideali rikthehet sërish në Lushnje dhe pas pak kohësh u mbaron periudha e internimit. Kthimi në vendlindje në Bilisht ishte më i vështirë se internimi. Për 17 vite, Ideali thurrte ëndrra për t’u arratisur pasi jeta po u bëhej gjithnjë e më e pamundur dhe rreziku për një internim të dytë ishte thuajse i sigurtë.

Më në fund, në mesnatën e 25 Qershorit të vitit 1983, Ideali së bashku me një grup prej dhjetë personash kaluan kufirin duke improvizuar një shkallë që kapërcente lartësinë e klonit elektrik. Pas 28 vitesh, Ideali bashkohet me babanë në Melburn të Australisë. Duhej të kalonin dhe shtatë vite të tjera që perdja e hekurt e komunizmit të binte dhe e gjithë familja të bashkohej në kontinentin e largët.

Në vitin 1993, Ideali vjen për herë të parë në Shqipëri që prej kohës kur ishte arratisur. Natyrisht që takimi me shokun e tij të ngushtë duhet të ketë qenë mallëngjyes por jo sa ky takim i dytë pas 25 vitesh. I ftuar në studio tek “Ka një mesazh për ty”, Admiri nuk ka arritur ta njohë menjëherë shokun e tij të fëmijërisë derisa ky i fundit ka buzëqeshur.

Ideali ka patur dhe një mesazh falje për mikun e tij me të cilin nuk arriti të bëhej dot krushk përpara disa vitesh e as t’i jepte një përgjigje sepse fatet e fëmijëve të tyre ishin vendosur ndryshe pavarësisht dëshirës së mirë. Kjo e kishte mbajtur pezull miqësinë e tyre pasi Ideali mendonte se Admiri i mbante mëri që nuk i kishte kthyer përgjigje për dëshirën për t’u bërë krushq por e kishte kaluar në heshtje. Gjithçka është mbyllur me një përqafim të ngrohtë si mes vëllezërish duke bërë që të përlotë publikun e pranishëm në studio. /tvklan.al/

 

Pas