Diella, vijon të bëjë jehonë përtej kufijve të Shqipërisë si ministrja e parë virtuale në botë. Përtej entuziazmit të kësaj risie, ende ka pikëpyetje për mënyrën se si ajo do të funksionojë dhe se sa ligjor është dekretimi i saj nga Presidenti.
Në emisionin “Opinion”, ka folur për këtë çështje juristi Jordan Daci theksoi se Diella, nuk duhej dekretuar pasi është një qasje joligjore. Daci theksoi se Shqipëria nuk ka as kapacitete për të prodhuar diçka të tillë në mënyrë të pavarur dhe funksionale.
“Nuk mund të ketë staf, patjetër staf teknik, por jo. Në asnjë vend të botës, shpresoj të mos vijë koha që stafet të varen nga sistemet elektronike, se pastaj i bie të jemi te Matrix-i. Presidenti këtë gjë të paktën e kishte bërë; është në varësi të kryeministrit. Një krijesë që nuk është në asnjë vend të botës. Është shumë herët për këtë. Zero nuk ka status juridik. Do duhet të shkojë në gjyq, algoritmi i saj do duhet t’u vihet palëve në dispozicion në një proces ligjor dhe pastaj nuk hyn më. Në kuptimin formal juridik është shkelje dhe nuk mund të ishte dekretuar. Në kuptimin politik, Rama është mjeshtër për këtë. Gjithsesi, qëllimi dhe ideja nuk është as për t’u kritikuar dhe as për të bërë humor, sepse bota atje po shkon. Por dhënia e një vlere juridike nuk është serioze. Nuk e pengonte qeverinë të ngrinte një projekt pilot, por tentativa për ta bërë një gjë të tillë tregon një injorancë kushtetuese,” tha Daci.