Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli ka folur për marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe dialogun me Serbinë në një intervistë për Dë. Pacolli duket se kërkon fqinjësi të mirë dhe thotë se ka ardhur koha për pajtimin e madh me Serbi-Kosovë. Po kështu për demarkacionin thotë se ka ngritur një komision të posaccëm.
Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, ka mbetur e pa zgjidhur, ju ishit për vizite në Mal të Zi dhe autoritet malazeze thanë se çështja e demarkacionit për ta ka përfunduar, ndërkohë që Kosova po kërkon rinegocim të marrëveshjes. Çfarë do të bëhet tani?
Se çfarë ka ndodhur para ardhjes sime në këtë detyrë, nuk do të merrem, por realiteti është që kemi një problem që kërkon zgjidhje. Kemi një marrëveshje të nënshkruar me palën malazeze dhe ajo marrëveshje është ratifikuar në parlamentin e Malit të Zi, mbetet të ratifikohet edhe në parlamentin e Kosovës.
Ajo marrëveshje tashmë ka marrë një karakter ndërkombëtar dhe është një marrëveshje që “de-jure” kërkon të respektohet. Unë nuk kam probleme që ajo marrëveshje nuk respektohet, sepse askush nuk ka bërë akoma asgjë, askush nuk ka shkuar ta spostojë kufirin me poshtë dhe ne nuk kemi konflikt me Malin e Zi.
Por, ekziston edhe një fakt tjetër që në Kosovë opinioni është i ndarë sa i përket kësaj çështjeje dhe ky opinion shihet edhe në parlamentin e Kosovës. Për Malin e Zi çështja e demarkacionit është çështje e mbyllur, ne e kuptojmë atë dhe e respektojmë, por ne duhet ta shohim këtu brenda se ç’ka ndodhur.
A ka baza reale që të dëshmohet se marrëveshja e nënshkruar nuk është e drejtë dhe vërtetë kemi humbur territor apo jo.
Unë e di që Mali i Zi nuk është i interesuar që të marë territor të Kosovës, sikundër që Kosova nuk është e interesuar që të marë territor të Malit të Zi. Por, sidoqoftë është e drejtë e çdo qytetari të Kosovës që ta di se si qëndron puna.
Tash është formuar një komision dhe ky komision duhet t’i sjell dëshmitë e vlefshme të përdorura ndërkombëtarisht që marrëveshja paraprake ka qenë e gabuar. Nëse nuk ka dëshmi ne do të kthehemi prap te marrëveshja e parë.
Mali i Zi nuk ka asnjë arsye të ngutet dhe të kërkojë diçka nga ne të cilën ne sot nuk mund ta bëjmë, siç është ratifikimi tash i asaj marrëveshjeje.
Mali i Zi nuk ka arsye të ngutet, por Kosova po, sepse, mos-ratifikimi i demarkacionit në parlamentin e Kosovës e ka stopuar liberalizimin e vizave për Kosovën?
Po, tash është problem i yni, sesa jemi ne në gjendje që të kemi dëshmi dhe ta dëshmojmë, se është i nevojshëm një negocim tjetër, këtë akoma nuk e di. Unë personalisht mendoj se duhet të sillen faktet.
Nëse nuk ka fakte, ne duhet t}u tregojmë qytetarëve që nuk ka fakte dhe marrëveshja është ajo që është.
Por, gjatë vizitës sime që kisha në Bruksel, unë nuk kam dashur që ta bëjë ndërlidhjen e këtyre dy çështjeve, demarkacionit dhe liberalizimit të vizave. Demarkacioni është një kusht i imponuar për Kosovën padrejtësisht dhe këtë ua kam thënë të gjithë atyre, me të cilët kam biseduar dhe në fund kisha biseda konstruktive dhe me komisionerin Johanes Hahn, zonjën Mogherini dhe ua kam thënë këtë dhe unë besoj që kam hasur në mirëkuptim dhe pothuajse është vendosur që të formohen dy grupe, një nga Kosova dhe një nga Komisioni Evropian për të biseduar mënyrën sesi të lirohemi nga kushti i demarkacionit dhe procesi i integrimeve të mos jetë peng i kësaj pike, por të ecet përpara dhe në procesin e integrimeve të përfshihet liberalizmi i vizave.
Para se të emëroheni në postin e ministrit të Jashtëm ju kishit një vizitë në Berlin. Siç e dini Berlini zyrtar ka marrë një rol të rëndësishëm në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Kosova. Tash atje ka një qeveri të re, mendoni se në të kaluarën Kosova nuk ju ka qasur sa duhet orientimeve të saj me Gjermaninë?
Unë konsideroj që ka qenë e drejtë që unë jam konsultuar me miqtë tanë gjerman, sepse Gjermania është një shtet që luan një rol thelbësor në BE. Hyrja ime në një koalicion parazgjedhor dhe pas zgjedhjeve hyrja në një koalicion tjetër ka pasur karakterin krejtësisht konstruktiv që Kosova të mos mbetet peng i bllokadës institucionale dhe Kosovës t’i ndihmohet që të ecë përpara dhe kjo është respektuar nga pala gjermane. Unë sot dua t’ju them që në programin qeveritar janë disa pika kyçe që janë diskutuar në Berlin dhe miratuar me kryeministrin e sotëm Ramush Haradinaj dhe sot janë pjesë e programit qeverisës. Unë ju them se Berlini zyrtar ka pasur një rol shumë konstruktiv dhe efektiv në formimin e kësaj qeverie.
Dialogu me Serbinë: është folur për një fazë të re të dialogut në kohën kur një sërë marrëveshjesh të arritura në të kaluarën me Serbinë nuk janë zbatuar nga pala serbe, siç thotë, Prishtina zyrtare. Kësaj radhe do të ketë Kosova vija të kuqe apo qasje tjetër në këtë dialog?
Mos të flasim për vija të kuqe, dialogu nuk duron vija të kuqe, dialogu bëhet që të amortizohen problemet, sfidat. Vija të kuqe ka dhuna, ka forca, lufta dhe dialogu nuk duhet të ketë vija të kuqe, por të gjejë rrugëdalje të problemeve të ndryshme që mund të ketë. Unë besoj, se dialogu i ardhshëm i Serbisë do të jetë një proces i cili synim ka zgjidhjet dhe jo të jetë për konsum publik.
Proceset kanë marr kahje të duhur dhe e shoh se ka lëvizje pozitive nga Serbia. Iniciativa e Vuçiqit në këtë drejtim nuk duhet të kritikohet por duhet të merret si konstruktive dhe nga ajo pjesët interesante duhet të merren dhe të studiohen dhe të përdorën si bazë për biseda e mëtejshme.
Një e di që Serbia e ka të qartë se një pajtim me shqiptarët do t’i kontribuonte shumë rajonit dhe Serbisë dhe edhe ne e kemi të qartë në Kosovë se realiteti është ky. Serbia është një shtet i konsoliduar ka një pjesë të madhe të vijës kufitare me Kosovën dhe Kosova sot paraqet një klient të rëndësishëm për mallrat e Serbisë dhe çka duhet të ndodhë këtu, duhet të ndodhë intensifikimi i punëve dhe ne sa më shpejtë të punojmë në temat ku mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe kapitalit, mallrave, ideve dhe këtë duhet ta mundësojmë dhe këto ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardit jetësor.
Serbia e di që dita e pajtimit me Kosovën do të vijë dhe do të përmblidhen në konkluzat e të gjitha përpjekjeve që janë bërë deri tash dhe këto konklzua do të mbyllen dhe do të ketë një titull, marrëveshja e pajtimit. Unë i gëzohem atij pajtimi, sepse përfiton Kosova, përfiton Serbia, përfiton rajoni dhe qeveria e Kosovës nuk do të ndalet në këtë drejtim.
Ndoshta në hapjen e fazës përfundimtare të dialogut do të ketë një kufizim në kohë për tema të cilat konsiderohen si të nevojshme tash për tash. Unë e di që ne kemi bërë shumë lëshime dhe nuk janë lëshime që kanë ndodhur nga mosdija jonë apo se ne kemi qenë të paaftë, por janë lëshime që konsiderohen si një ndihmë për Serbinë për të arritur deri te pajtimi i madh dhe këtë nuk duhet ta harrojmë asnjëherë dhe tërheqja jonë në prag të konfirmimit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol ishte një gjest shumë i qartë se jemi duke i ndihmuar procesit të dialogut.
Ne këto momente jemi seriozisht duke menduar që mos të aplikojmë edhe në UNESCO dhe këto janë sinjale të forta që ne i dërgojmë Serbisë, se ne jemi duke i ndihmuar procesit për arsye se pajtimi duhet të ketë edhe një substancë brenda dhe kjo substancë është që Serbia mos të bllokojë në të ardhmen iniciativat integruese nëpër organizatat rajonale evropiane dhe botërore. Unë them se ndoshta në këtë samit do të ishim anëtare të UNESCO-os. Nuk i kushton Kosovës shumë, po presim edhe pak dhe ta pasurojmë kontratën e pajtimit edhe me këto tema. /DW