Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar të enjten Millosh Pleskoviçin me 15 vjet burg, nën akuzat për krime lufte në Kosovë.
Sipas aktakuzës, Pleskoviç bashkë me një grup serbësh të armatosur, kanë vrarë tre civilë shqiptarë dhe kanë plagosur disa të tjerë në qytetin e Prizrenit, raporton Betimi për Drejtësi, media e specializuar për raportime në fushën e drejtësisë.
Gjykatësi Rrahman Beqiri ka thënë të enjten se vendimi do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, ndërkohë Pleskoviç ka qenë nën masë të paraburgimit.
Sipas aktakuzës, Pleskoviç ka gjuajtur me armë të tipit ‘Kallashnikov’, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.
Mes tjerash në dokument është përmendur se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i merrnin trupat e viktimave pas një jave nga vrasja, dhe që trupat e R. dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F.B, nuk e kishte kokën në trup.
Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende të zhdukur. Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte. REL