Padyshim në momentet e tij më të mira, trajneri i Milanit, Stefano Pioli duhet të bëjë pushim nga stërvitja e ekipit.
Sipas një deklarate zyrtare të klubi, tekniku italian ka rezultuar pozitiv me koronavirus, pas një testimi të shpejtë të kryer mëngjesin e sotëm. Kjo ka sjellë edhe ndërprerjen e seancës së sotme stërvitore për kuqezinjtë.
Në njoftimin e klubit theksohet se trajneri nuk ka asnjë simptomë dhe se është vendosur menjëherë në karantinë. Ndërkohë, të gjithë tamponët e tjera kanë rezultuar negativë.
Te Milani, janë disa lojtarë që e kanë kaluar Covid-19: Tonali, Leao, Ibrahimovic, Donnarumma, Hauge e Gabbia.
Ekipi po përgatitet pasi përballjen e radhës në Serie A e ka me Napolin e vendit të tretë. Milani ndodhet në vend të parë me 17 pikë, dy më shumë se Sasuolo e vendit të dytë. /Opinion.al