Milani ka pësuar humbjen e tretë në gjashtë ndeshjet e fundit dhe tani kualifikimi në Champions League është më në rrezik se kurrë. Torino i Mazzarri-t ka mposhtur kuqezinjtë me rezultatin 2-0 pas dy golave të shënuar në pjesën e dytë.
Pas një pjese të parë të luftuar dhe me shumë kartonë, penalltia e dyshimtë e shënuar nga Belotti në minutën e 58’ ka zhbllokuar rezultatin. Dhjetë minuta më pas erdhi goli i dytë i shënuar nga Berenguer, i cili shfrytëzoi më së miri gabimin e Musacchio-s në mbrojtje.
Një humbje që e çon skuadrën e Gattuso-s në vend të 6-të të renditjes së Serie A, ndërsa Torino i ka parakaluar dhe është futur në valle për vendin e katërt.
Drejtuesit e klubit, të pranishëm në stadiumin “Grande Torino” (Leonardo dhe Gazidis) nuk kanë pritur fundin e ndeshjes, por përpara se arbitri të vërshëllente tri herë, kanë lënë shkallët. Pritet një vendim i tyre, nëse Gattuso do të qëndrojë apo largohet./Opinion.al