Tërmeti i fuqishëm në detin Egje nuk tronditi vetëm Greqinë dhe Turqinë por edhe pozicionet e ngurta të liderëve të dy vendeve, të cilët prej disa javësh janë pëfshirë në akuza në distancë lidhur me çështje e Mesdheut Lindor.
Kur dukej se dialogu mes presidentit Erdogan dhe kryemininstrit Micotaqis nuk ishte i mundur pa ndërmjetës, mjaftoi lëkundja 6.6 Rihter që ata të komunikonin drejtpërdrejtë me njëri tjetrin.
Kryeministri i Greqisë, Qiriakos Micotaqis njofton në rrjetet sociale se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentit turk, Erdogan të cilit i shprehu ngushëllimet për viktimat e shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm që goditi dy vendet.
“Sapo fola në telefon me presidenti turk Erdogan të cilit i shpreha ngushëllimet e mia për humbjet e jetëve nga tërmeti i fuqishëm që goditi të dy vendet tona. Pavarësisht dallimeve që kemi, popujt tanë duhet të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në këto momente”, shkruan Micotaqis.
Edhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka kontaktuar me telefon homologun turk, Mevlut Çavusoglu, menjëherë pas tërmetit të madh në Egje dhe shprehu gatishmërinë e Greqisë për të ndihmuar në procesin e evakuimit të qytetarëve, banesat e të cilëve janë shkatërruar në rajonin e Izmirit.
“Pas tërmetit të Samos dhe Smyrna, Ministri i Jashtëm Nikos Dendias kontaktoi homologun turk M.Cavusoglu dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë greke për të dërguar drejtpërdrejt forcat EMAK në Turqi për të ndihmuar qytetarët e bllokuar”, thotë Ministria e Jashtme greke.
Greqia dhe Turqia u tronditën sot nga një tërmet 6.6 ballë i shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ishte në veri të ishullit Samos por dëmet më të mëdha u shkaktuan në Izmir të Turqisë. Aktualisht numurohen 6 viktima dhe 202 të plagosur. /Opinion.al