Presidenti Ilir Meta është shprehur ditën e sotme se nuk ka interes të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e tij si President.
Në një prononcim për mediat nga qyteti i Korçës, ku zhvilloi një ceremoni dhe dekoroi disa artistë, ai tha duke qeshur se mezi pret të lirohet nga posti i Presidentit, duke hequr kostumin dhe bodigardët për t’i bashkuar popullit të 2 marsit në beteja të vërteta.
“Nuk kam asnjë interes se çfarë do të vendosi gjykata Kushtetuese për vendimin e Parlamentit të shkarkuar pas zgjedhjeve të 25 prillit, për të shkarkuar Presidentin e Republikës për një intervistë te Çim Peka.
Do të vazhdoj deri më 24 korrik. Mezi po pres të shpëtoj nga shoqëruesit dhe makinat e policisë, sepse mezi po më pret populli i 2 marsit dhe unë mezi po pres t’i jap më të mirën time atij populli të mrekullueshëm. Jini të duruar. Unë do të kthehem te populli i 2 marsit, ata i kanë të gjitha.”, tha Meta.
Ndërsa lidhur me deklaratën e tij para zgjedhjeve të 25 prillit, se do e dorëzonte mandatin e Presidentit, nëse Rama fitonte zgjedhjet, i pyetur nga gazetarët Meta tha:
“Nuk ka fituar, ka qenë ndeshje e shitur që pa filluar, e trukuar. S’kam premtim për atë që do të ndodhë më 6 mars, sepse s’kam marrë pjesë në zgjedhjet e prillit. Në zgjedhjet më të para pasi të heq kostumin e presidentit, më keni në beteja të vërteta. Ilir Meta nuk është nga ata që i shet ndeshjet”, tha Meta./Opinion.al