Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca ka folur në lidhje me metodologjinë e re të zgjerimit të BE.
Në një reagim në rrjetet sociale, Soreca shprehet se kjo metodologji është një lajm i mirë për Shqipërinë, pasi sipas tij, ajo do të ndikojë në përmirësimin e reformave në vendin tonë.
‘Propozimi i Komisionit Evropian për një metodologji të rishikuar për procesin e pranimit në BE është një lajm i mirë për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ndërsa drejton anëtarësimin në BE përpara, ai gjithashtu do të përmirësojë dhe inkurajojë shpërndarjen e reformave. 2020 është një vit kyç për Shqipërinë’ shkruan Soreca në Twitter.
Kujtojmë se metodologjia e re e zgjerimit do të fokusohet në katër shtylla kryesore: kredibiliteti, parashikueshmëria, dinamika dhe forcimi i udhëheqjes politike. Fokusi është te forcimi i shtetit juridik, forcimi i institucioneve demokratike dhe zhvillimi ekonomik.
Sipas metodologjisë së re të zgjerimit, e cila u kërkua nga presidenti francez Macron, përcaktohet se nëse një vend bën progres kjo do të çojë në përshpejtimin e integrimit dhe rritjen e fondeve dhe investimeve për të fushë të caktuar.
Por, nëse vendet nuk arrijnë progresin e reformave, atëherë procesi i integrimit mund të lihet në pritje dhe të pezullohet. Gjithashtu kapitujt mund të rihapen edhe pse janë plotësuar nëse vendet kanë regres./ Opinion.al