Presidenti Ilir Meta është takuar në Kosovë me ambasadorin William Walker. Më 15 janar 1999, Walker akuzoi forcat policore dhe ushtarake serbe se janë përgjegjës për masakrën e Reçakut, ku mbetën të vrarë 45 civilë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shkruan për diplomatin se; “Integriteti i tij i lartë ndihmoi botën të zbulonte genocidin që ndodhte çdo ditë, dhe vuri diplomacinë në veprim përmes Konferencës së Rambujesë, dhe më pas ndërhyrjes historike të NATO-s, për t’i dhënë fund përgjithmonë spastrimit etnik në zemër të Europës”.
Postimi i Metës
I lumtur të ritakohesha në Kosovë me Ambasadorin William Walker. Shqiptarët kudo në botë do t’i jenë përherë mirënjohës për denoncimin historik që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit. Integriteti i tij i lartë ndihmoi botën të zbulonte genocidin që ndodhte çdo ditë, dhe vuri diplomacinë në veprim përmes Konferencës së Rambujesë, dhe më pas ndërhyrjes historike të NATO-s, për t’i dhënë fund përgjithmonë spastrimit etnik në zemër të Europës. E ftova me shumë kënaqësi për të vizituar Shqipërinë, dhe sigurisht Sarandën që ai e do aq shumë./ Opinion.al